Flash News

Bota

Putin kërcënon Kievin me raketën balistike “Oreshnik”

Putin kërcënon Kievin me raketën balistike “Oreshnik”

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Rusia do të godasë qendrat vendimmarrëse në kryeqytetin ukrainas Kiev me raketën e saj të re balistike hipersonike “Oreshnik”.

Deklarata e Putinit u bë gjatë një vizite në Kazakistan, vetëm disa orë pasi Rusia ndërmori një sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke lënë mbi një milion njerëz pa energji elektrike.

“Ishte një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme në territorin tonë nga raketat Atacms,” tha Putin, duke iu referuar raketave të përdorura nga Ukraina për të goditur objektiva brenda territorit rus. Këto raketa janë furnizuar nga partnerët perëndimorë të Ukrainës, përfshirë SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Sipas presidentit rus, në kundërpërgjigje, Rusia ka lëshuar 90 raketa dhe 100 dronë, duke përfshirë “Oreshnik”, një raketë hipersonike që ai pretendon se fluturon me 10 herë shpejtësinë e zërit dhe është e pakapshme për sistemet mbrojtëse.

Putin ka theksuar gjithashtu se Moska nuk do të lejojë Ukrainën të zotërojë armë bërthamore dhe paralajmëroi se nëse kjo ndodh, Rusia do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur veten. Ai shtoi se Ukraina po bëhet gjithnjë e më shumë një kërcënim për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, sipas raportimeve nga agjencia ruse RIA.

Kërcënimet e reja nga Kremlini vijnë në një kohë tensionesh të larta, ndërsa furnizimi i Ukrainës me armë perëndimore po vazhdon të intensifikohet.

Të fundit