Flash News

Ditari i Opozitës

Muçollari: Ikja e 'trurit', dështim i pushtetit, po shkatërron të ardhmen e Shqipërisë

Muçollari: Ikja e 'trurit', dështim i pushtetit, po

Shqipëria po përballet me një nga krizët më të thella sociale dhe ekonomike: ikja e trurit.

Në një opinion të publikuar në Facebook, anëtari i Kryesisë së PD-së Grigels Muçollari paralajmëron se mbi 23% e shqiptarëve me arsim të lartë janë larguar gjatë viteve 2023–2024, ndërsa vetëm 2–3% janë kthyer.

Sipas tij, largimi i profesionistëve nuk është thjesht rezultat i pagave të ulëta apo mungesës së vendeve të punës, por pasojë e korrupsionit, lidhjeve politike dhe mungesës së rotacionit politik.

"Ikja e trurit nuk është thjesht pasojë e pagave të ulëta apo mungesës së vendeve të punës. Ajo ndodh kur s’ka perspektivë. Dhe perspektiva zhduket kur një shoqëri e kupton se ndryshimi është bërë i pamundur nëpërmjet votës. Pa zgjedhje reale, nuk ka rotacion politik. Pa rotacion, pushteti mbetet i mbyllur dhe i pandëshkueshëm. Në këto kushte, njerëzit ndihen të pafuqishëm. Dhe sovraniteti i tyre nuk vlen më. Dorëzohen, largohen.

Në vende të tjera të rajonit, profesionistët largohen, por edhe kthehen, sepse besojnë se sistemi mund të ndryshojë dhe se vota ka peshë. Në Shqipëri, largimi është pothuajse përfundimtar. Dhe kjo e bën dramatike situatën. Hendeku mes atyre që ikin dhe atyre që kthehen është ndër më të thellët në gjithë hapësirën e BERZH-it", shkruan Muçollari.

Ai paralajmëron se ky fenomen po e shndërron Shqipërinë në një vend pa perspektivë, ku të rinjtë nuk besojnë më tek e ardhmja e vendit të tyre dhe nxit shoqërinë të reagojë.

"Ikja e trurit, edhe pse instrumenti i fundit i shoqërisë pasi ka dështuar me përpjekjet e tjera, është reagim racional ndaj një sistemi të mbyllur. Edhe pse mund të duket si shpëtim për dikë, kjo nuk mund të jetë zgjidhja kolektive. Ky realitet përzënës sot nuk është fat, as short, as se “kështu na ra”. Është rezultat qeverisjeje, por edhe rezultat heshtjeje. Ikja e trurit është dështim i pushtetit, por edhe alarm për shoqërinë. Një alarm për një Shqipëri që po shuhet.

Shqipëria duhet të ketë sërish një të ardhme. Kjo vjen kur gjithsecili prej nesh merr përgjegjësinë për të mos ia dorëzuar trurin, votën dhe shpresën një sistemi që i shpërfill. Kjo vjen kur secili prej nesh reagon fort dhe me shumë vendosmëri. Kur secili prej nesh prish rehatinë e ditës dhe nuk e këmben atë me të ardhmen që po na ikën para syve tanë çdo ditë", vijon Muçollari.

Të fundit