Flash News

E-TJERA

Vrasje e porositur? Kush është rumuni me precedentë kriminalë që dyshohet si ekzekutori i Renato Hoxhës

Vrasje e porositur? Kush është rumuni me precedentë

Policia e Vlorës ka zbardhur vrasjen e Renato Hoxhës, 42 vjeç, i cili u ekzekutua më 27 prill 2025 në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë Poliklinikës së qytetit. Viktima u qëllua me katër plumba në trup dhe kokë, duke humbur jetën në vend.

Pas hetimeve të thelluara, autoritetet identifikuan si një nga autorët kryesorë Daniel Cornea, 53 vjeç, shtetas rumun me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Ndaj tij është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve”.

Tre ditë më parë, më 1 gusht, u arrestua edhe bashkëpunëtori i tij i dyshuar, Kleanth Bylyku, alias Armando Gega, 42 vjeç, banues në Vlorë. Ai ishte në kërkim për të njëjtën ngjarje dhe ndaj tij ishte lëshuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Hetimet zbuluan se vrasja ishte e mirëplanifikuar dhe e kryer në bashkëpunim me disa persona. Më herët, në muajin prill, u ndalua E.M., 37 vjeç, banues në Tiranë, për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”. Në hetim është edhe I.S., 26 vjeç, i arrestuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, për të cilin po përcaktohet roli në ngjarje.

Ndërkohë, hetimet vijojnë me intensitet, jo vetëm për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, por edhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në vepra kriminale në Vlorë dhe Sarandë. Autoritetet paralajmërojnë zhvillime të reja në ditët në vijim.

Të fundit