Flash News

E-TJERA

120 fëmijë humbasin çdo vit në Shqipëri, 12 ende të zhdukur në 30 vite

120 fëmijë humbasin çdo vit në Shqipëri, 12 ende

Në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, statistikat në Shqipëri tregojnë një realitet shqetësues, por edhe shpresëdhënës: çdo vit raportohen rreth 120 raste të fëmijëve të humbur, por fatmirësisht shumica e tyre gjenden brenda 72 orëve.


Megjithatë, në harkun kohor të 30 viteve, 12 fëmijë rezultojnë ende të zhdukur. Emra si Bleona Mata dhe Julian Çela mbeten të gjallë në kujtesën e familjarëve që nuk kanë reshtur së kërkuari për dekada të tëra.


“Shqipëria hyn në ato vende ku shumica e fëmijëve të humbur gjenden, çka është shumë pozitive. Ka raste ku fëmijët largohen vetë nga shtëpia, apo rrëmbehen – madje edhe nga prindërit e tyre, pas vendimeve gjyqësore”, deklaron aktivisti Altin Hazizaj.


Për të përmirësuar reagimin institucional ndaj zhdukjes së fëmijëve, është propozuar vendosja e sistemit Amber Alert, një sinjal emergjent i përdorur fillimisht në SHBA, që mobilizon menjëherë policinë, institucionet dhe komunitetin për kërkimin e fëmijës së humbur. Ky sistem u krijua pas rrëmbimit dhe vrasjes së Amber Hagerman, një vajze 9-vjeçare në Texas, në vitin 1996.


Aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën sot me pankarta në duar dhe një mesazh të qartë: “Shpresa nuk humbet kurrë”. Ata kërkuan që institucionet të tregojnë më shumë angazhim dhe të krijojnë një sistem efektiv reagimi për raste të tilla, në mënyrë që askush të mos mbetet pa përgjigje.

Të fundit