Flash News

E-TJERA

Tragjike në Angli, pema bie mbi 5 fëmijë shqiptarë, humb jetën 7-vjeçarja

Tragjike në Angli, pema bie mbi 5 fëmijë shqiptarë, humb

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e Southend-on-Sea në Essex të Anglisë, ku një vajzë 7-vjeçare shqiptare ka ndërruar jetë dhe një tjetër është në gjendje kritike, pasi një pemë ra papritur mbi ta në një park bregdetar të shtunën pasdite.

Sipas policisë lokale, incidenti ndodhi rreth orës 15:00 në parkun Chalkwell, ku autoritetet u thirrën me urgjencë pas raportimeve për disa të lënduar.

Në momentin e ngjarjes, pesë fëmijë ndodheshin në zonën ku ra pema. Dy prej tyre, vajza të moshës 7 dhe 6 vjeç, pësuan lëndime të rënda dhe u transportuan me urgjencë në Spitalin Universitar të Southend. Vajza 7-vjeçare nuk arriti t’i mbijetonte plagëve dhe vdiq në spital. Vajza tjetër ndodhet në gjendje kritike dhe po trajtohet nga mjekët.

Kryeinspektori Leighton Hammett i Policisë së Essex e përshkroi ngjarjen si jashtëzakonisht tronditëse:

“Familjet po përballen me vështirësi të paimagjinueshme këtë mbrëmje dhe të gjitha mendimet tona janë me ta. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë sa të vështira kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ngjarjet e sotme për ta. Gjithashtu, nuk më ka shpëtuar mendja se sa traumatike duhet të ketë qenë për anëtarët e publikut që e dëshmuan këtë incident të tmerrshëm.”

Policia e Essex ka bërë thirrje që publiku të shmangë zonën e parkut Chalkwell, ndërsa specialistët dhe ekspertët e mjedisit po shqyrtojnë shkaqet e rrëzimit të pemës.

Të fundit