Flash News

E-TJERA

Hyrja me kartë ID dhe ndalohet alkooli, masat e marra për derbin Partizani-Tirana

Hyrja me kartë ID dhe ndalohet alkooli, masat e marra për derbin

Partizani-Tirana është padyshim kryendeshja e kësaj jave në elitën e futbollit shqiptar me dy skuadrat që do të përballen në stadiumin “Air Albania” të hënën në orën 19:00. Interesi për derbin e kryeqytetit është gjithmonë shumë i madh dhe pritet që stadiumi të jetë i mbushur plot.

Si rrjedhojë janë marra masa për sigurinë dhe mbarëvajtjen e këtij eventi. Por çfarë pritet të ndodhë?

MASAT:

Do të kontrollohet imtësisht çdo individ, që hyn në stadium, teksa do të ketë edhe një risi në lidhje me biletat, si dhe ata që kryejnë akte vandale në tribuna. Nga sa është mësuar, nuk do të lejohet asnjë tifoz të hyjë pa dokument identifikimi në stadium. Jo vetëm kaq, por biletat do të jenë të përcaktuara qartë sipas numrave dhe do të jenë të personalizuara.

Kështu, nëse dikush thyen një stol, përmes saj do të gjendet se cili ka qenë i ulur në atë vend dhe do t’i faturohet dëmi i sendit të thyer. Deri më tani, FSHF-ja e ka llogaritur vlerën e një stoli për një shifër prej 100 eurosh. Kështu, nëse deri më tani fatura e dëmeve materiale u është deleguar klubeve, këtë herë përgjegjës do të jetë individi. Në të gjithë derbet e kaluara, ka pasur thyerje stolash dhe akte të tjera të dhunshme.

 Kemi parë rëndom që në stadium tifozët të shijojnë nga një gotë birrë. Një fenomen shumë i zakonshëm ky në “Air Albania”, aty ku do të luhet derbi i së hënës në orën 19:00. Por në të vërtetë kjo përbën një shkelje të ligjit. Legjislacioni shqiptar i sportit e ndalon tregtimin dhe konsumimin e alkoolit në mjediset sportive gjatë eventeve të tilla.

“Ndalohen mbajtja dhe përdorimi në objektet e mjediset sportive dhe gjatë zhvillimit të veprimtarive sportive i fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera, i armëve të të gjitha llojeve, si dhe përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike”, shkruhet në pikën numër 1 të nenit 29 për sendet e palejuara në mjediset sportive.

Të fundit