Flash News

E-TJERA

Mbyllen sportelet e Kadastrës, si do të funksionojnë shërbimet online

Mbyllen sportelet e Kadastrës, si do të funksionojnë

Shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nuk do të ofrohen më nëpër sportele fizike, por do të jenë në portalin e-Albania.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaja ka shpjeguar se si do të funksionojë Kadastra online dhe si do t’i marrin shërbimet qytetarët.

Ajo prezantoi 7 ndryshime duke filluar nga monitorimi i sistemit, te pilotimi 3D i Kadastrës e deri te heqja e përdorimit të vulës me bojë.

1.Kush vjen i pari, trajtohet i pari

Karçanaj tha se është përmirësuar teknologjia dhe 74 shërbimet elektronike të Kadastrës në portalin e-Albania.

“Është implementuar plotësisht radha ‘first in, first out’. Kush vjen i pari trajtohet i pari. Ka qenë e implementuar edhe më parë, por ishte ndryshe radha e qytetarëve që aplikonin në e-Albania dhe ndryshe radha e noterëve në një sistem tjetër. Që do të thotë se i jepej prioritet noterëve. Qytetari nuk aplikonte vetë se e dinte që po të shkonte te noteri do trajtohej më shpejt. Tani është e njëjta radhë. Zyrtari i Kadastrës nuk shikon fare kë ka për të trajtuar. Nuk e merr të dhjetin për ta trajtuar se ka futur mik. Ka aplikimin e radhës, mund të trajtojë vetëm atë dhe nuk bën dot asnjë veprim. Këto zhvillime i kanë dhënë fund sekserëve që ndërhynin për të fituar dhe kaluar aplikime pa radhë”, tha Karçanaj.

2.Çdo gjë e monitorueshme në sistem

Karçanaj shtoi se shmanget abuzimi i zyrtarëve të Kadastrës që shtynin procesimin e aplikimit me pretekstin që po bënin akt-verifikimin.

“Ka qenë jashtë sistemit akt-verifikimi, nuk kuptonte njeri se ç’bëhej. Tani çdo gjë është e monitorueshme në sistem dhe nuk ka shans t’i kërkohet qytetarëve gjëra kot të panevojshme”, tha ajo.

3.Sistemi “fast tracking”

Po ashtu, është implementuar sistemi i përshpejtuar dhe sipas saj lekët nuk do të shkojnë në xhepat e sekserëve.

“Ai që ka një hall me Kadastrën paguan shërbimin dhe e merr në kohë rekord. Lekët nuk shkojnë në xhepat e sekserëve, as të zyrtarëve të korruptuar, por shkojnë në buxhet”, tha ajo.

4.Unifikohet sistemi

“Tani ka një sistem të unifikuar, të integruar, sistemi multifunksional. Është e pamundur të bësh ndërhyrje të paautorizuara në regjistrin e pronës”, tha Karçanaj.

5.Nuk ka më vula me bojë

“Ky ndryshim që është në lehtësim, por në radhë të parë siguri, tregon që institucioni i është përshtatur proceseve dixhitale të punës duke rritur transparencën dhe efikasitetin. Tani jemi në fazën që kushdo aplikon në e-Albania merr dokumentin me vulë elektronike, me nënshkrim elektronik”, theksoi ajo.

6.Teknologjia “block chain”

Transaksionet e të dhënave të pronës ruhen në teknologjinë block chain.

“Kjo bën të mundur që tani të kemi një regjistër të përhershëm. Çdo ndryshim që i bëhet njoftohet në kohë reale qytetari në e-Albania dhe nuk do t’i lëvizet më as presja. Këtë teknologji do e aplikojmë edhe në arkivat dixhitale që rriten çdo ditë. Kjo i ka vënë vulën e sigurisë dhe besueshmërisë çështjes së pronave në Shqipëri”, u shpreh Karçanaj.

7.Riinxhinierizim i proceseve të punës

Karçanaj njoftoi se pjesa më e madhe e proceseve të punës janë të riinxhinierizuara.

“Nuk do ketë më shefa zonash që ndajnë aplikimet. Është aplikimi shefi i zonës. E ndan sistemi në varësi të fluksit, llojit të aplikimit, ku e çon aplikimin e radhës. Implementimi i kadastrës 3D do përmirësojë shërbimet”, tha ajo.

Të fundit