Flash News

E-TJERA

Apeli konfirmon burgim të përjetshëm për kopshtarin e Altin Hajrit

Apeli konfirmon burgim të përjetshëm për kopshtarin e Altin

Gjykata e Posaçme e Apelit ka konfirmuar këtë të premte dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Shkalla e Parë e GJKKO-së për kopshtarin e kompleksit “Golden” të Altin Hajrit në Shijak, Festim Bexhdili, i shpallur fajtor për rrëmbimin e Jan Prengës më 17 Janar të vitit 2020 në Kamëz.

Vendimi në Apel është marrë nga trupa gjykuese përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar).

Njoftimi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar),  më datë 25.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 63/5 akti, datë 08.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 16, datë 20.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin F.B. – disponuar mbi ankimet e paraqitura ndaj vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.

– U shpall në Tiranë, sot më datë 25.07.2025.

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës

Jan Prenga u rrëmbye më 17 Janar të vitit 2020 në Kamëz. Pas rrëmbimit ai u dërgua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit.

Sipas pamjeve nga kamerat e sigurisë, Jan Prenga dyshohet se u dhunua për vdekje dhe asgjësimi i trupit ka dyshime se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit, teksa kufoma ende nuk është gjetur.

Rrëmbimi erdhi pasi vëllai i Jan Prengës vodhi një kontejner me drogë në Britaninë e Madhe. Sipas SPAK, urdhri për rrëmbimin e Jan Prengës ishte dhënë nga Dritan (Gramoz) Rexhepi dhe i bashkëpandehuri i tij Gentian Funiqi (Doda), organizimi është bërë nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ndërsa ekzekutimi i rrëmbimit është bërë nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Porosia për rrëmbimin e Jan Prengës u dha teksa Rexhepi ishte i burgosur në Ekuador, në Amerikën Latine dhe kishte si qëllim shtrëngimin e vëllait të Prengës, që kishte vjedhur një sasi kokaine të trafikuar nga Ekuadori në Angli. Familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jan Prenga kishte humbur jetën.

Gjatë seeancave në GJKKO, Dritan (Gramoz) Rexhepi) e ka mohuar implikimin në rrëmbimin e Jan Prengës, teksa organizatori tjetër, Altin Hajri, pronari i kompleksit “Golden” ku ndodhi krimi, rezulton ende në arrati.

Ky i fundit është denoncuar disa herë nga kreu i PD-së Sali Berisha se ka paguar rreth 700 mijë euro për t’i shpëtuar akuzave. 

Të fundit