Flash News

OP-ED

Lidership për kohë lufte dhe paqeje

Lidership për kohë lufte dhe paqeje

Erion Piciri

Të jesh luftuar për atdhe, apo akoma më mirë të kesh drejtuar luftën për çlirim kombëtar është nje akt sublim që meriton nderim, veçse inercia dhe lënia e udhëheqjes në kohë paqeje në dorë të ish-luftëtarëve mund të jetë një zgjedhje e gabuar. Shumë syresh e kanë shpërdorur aktin patriotik të përfshirjes në luftë dhe janë kthyer me qeverisjet e tyre të mëpasme në antipatriotët më të mëdhenj të vendit. Drejtimi ushtarak i terrenit nuk përshtatet lehtësisht me drejtimin civil të punëve të shtetit.

Emil Durkheim ka folur para mëse një shekulli për ndarjen e punës - punët specifike kërkojnë njerëz me aftësi specifike. Kjo është e vlefshme edhe për lidershipin politik. Tjetër lloj lidershipi, formimi dhe përvoje duhet për të luftuar me pushkë armikun dhe tjetër për të ngritur nje shtet të demokracisë ligjore dhe ekonomisë konkurenciale. Ndryshon fusha e operimit, objekti dhe qëllimet, vetë modeli i drejtimit.

Veteranët e vërtetë duhen të kenë një vend të nderuar mbas mbarimit të luftës, por trafiku i influencës dhe besimit nga lufta në paqe mund të jetë i rrezikshëm. Prekja emocionale nga sakrificat e tyre mund t'i bejë shumë njerëz të humbasin gjykimin racional, t'u besojnë dhe mbështesin verbërisht, por kjo mund të sjellë humbje e fatkeqësi. Disa nuk dinë të zbresin nga froni dhe e quajnë zotësi mbajtjen me forcë të çdo territori të okupuar. Lidershipi është produkt i përjetimeve të jetës dhe jo në pak raste lufta i traumatizon pjesëmarrësit apo i pajis me një qasje më të ngurtë, urdhëruese e përjashtuese edhe atëherë kur më produktive mbetet bashkëjetesa paqësore dhe gjithpërfshirëse.

Hitleri, një veteran i Luftës së Parë Botërore krenohej me të shkuarën e tij, betohej se do sakrifikonte si ushtari i parë i kombit, i urdhëronte gjermanët t'i bashkoheshin deri në vdekje ose të prisnin ndëshkimin si tradhtarë të kombit. Kështu i mori peng drejt një vetvrasje kolektive.

Në Shqipëri komunisti E. Hoxha dhe të tijët duke ndjekur pushtetin në Luftën e Dytë Botërore, e përçanë shoqërinë, e shkretuan vendin nga kapitali intelektual, politik e sipërmarrës dhe instaluan diktaturën më të ashpër në Europë. Mao nga çlirues i Kinës u kthye në sunduesin e saj. Po kështu Fidel Castro me revolucionin dhe luftën e tij kundër Batistës legjitimoi një pushtet absolut. Mugabe nga një luftëtar lirie u kthye në një diktator brutal. Marcos-i nga një i burgosur në Luftën e Dytë Botërore, dekada më vonë vendosi nje regjim autoritar e korruptiv. Kjo ka ndodhur edhe në shumë vende të tjera. Çlirimtarët në shumë raste u kthyen në pushtues dhe kleptokratë të mëdhenj kur popujt u lanë në dorë pushtetin.

Ka vende që nuk i kanë hyrë një rruge të tillë. Mbas Luftës së Dytë Botërore, një nga tre fituesit e saj, Winston Churchill, nuk arriti të fitojë rizgjedhjen si kryeministër i Britanisë, dy muaj mbas asaj fitoreje historike ndaj nazizmit. Popujt racionalë kërkojnë për njeriun e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Një pjesëmarrës dhe ministër lufte në kohën e Luftës së Parë Botërore ishte më i përshtatshmi t'u kundërvihej Hitlerit dhe nazistëve, por u pa i papërshtatshëm për reformat e rimëkëmbjes ekonomike të pasluftës. Amerikanët kanë shumë heronj luftrash që i nderojnë, por kur vjen puna për të zgjedhur në drejtimin e vendit, dinë t'i ndajnë gjërat. Ata zgjodhën për president Bill Clinton-in në vitin 1992 përkundrejt një veterani të Luftës së Dytë Botërore si George Bush-i, zgjodhën George W. Bush-in ne 2004-ën dhe Barack Obamen në 2008-ën përpara dy veteranëve të Luftës së Vietnamit si John Kerry apo John McCain-i. Po kështu shqiptarët e Kosovës, fill mbas luftës së vitit 1999, u rikthyen të votbesonin si president një politikan të pjekur dhe paqësor si Ibrahim Rugova që u kishte ndërkombëtarizuar me mençuri kauzën e pavarësisë.

A thua zgjedhësit e rasteve të fundit të kishin një mungesë patriotizmi dhe mirënjohjeje për heronjtë e gjallë të luftës? Përkundrazi. Ata nuk donin t'i merrnin në qafë duke u dhënë pergjegjësi që nuk mund t'i nderonin me nivelin e aftësive që zotëronin. Ky është demonstrim i vetdijes qytetare, përgjegjshmërisë dhe atdhetarisë. Patriotizëm do të thotë të mos biesh viktimë e emocionalitetit dhe të peshosh drejt përzgjedhjen e njerëzve të duhur për momentin e duhur të historisë. Patriotizëm do të thotë t'i vesh fre ambicies dhe mos kacavirresh në nivele të pamerituara përfaqësimi politik. Shpërdorimi i ndjenjave kombëtare për përfitime pushteti është pseudopatriotizëm, instalimi i pushtetit autoritar e korruptiv është nje akt antipatriotizmi, moslejimi i njerëzve të papërshtatshëm të ngjiten në krye të punëve të vendit është antipatriotizëm.

Të fundit