Në Frakull dhe disa fshatra në Levan të Fierit, banorët të izoluar prej dy ditësh dhe pa energji elektrike

Deputeti Luan Baçi ishte pranë banorëve në Frakull të Fierit, ku rreth 40 fshatra të kësaj njësie administrative gjenden nën pushtetin e ujit. Banorët i thanë deputetit Baçi se me dhjetëra banesa dhe me qindra kokë bagëti rrezikojnë nga përmbytja për shkak të rritjes së nivelit të ujit nga ora në orë.

“Këtu nuk është prezent askush nga emergjencat civile, nga ministrite apo dhe nga pushteti lokal.”- tha deputeti Baçi gjatë takimit pasditen e së premtes me banorët në Frakull. Ai tha se ata janë të tronditur që shtëpitë dhe çdo gjë e gjallë është nën thellësinë e ujit dhe errësirës. “I bëj apel shtetit të mos lerë në mëshirën e fatit këta banorë. Gjendja është dramatike dhe orët në vijim janë më kërcënuese.”- tha deputeti i Fierit Luan Baçi.

Edhe banorët shprehën të njëjtin shqetësim për lënien në harresë nga bashkia dhe qeveria, si dhe kërkuan ndërhyrje emergjente.