Flash News

KRYESORE

Nga kopshtet, plazhet, kufijtë, sot hapet e gjithë Shqipëria, çfarë do jetë e ndaluar deri në 23 qershor    

Pas një periudhë të gjatë karantinimi për shkak të pandemisë covid-19, 1 qershori sjell më shumë liri për qytetarët në të gjithë vendit, përfshirë edhe në zonat e cilësuara “të kuqe” nga autoritetet.

Kështu, nga sot, veç disa kufizimeve, shqiptarët u rikthehen normalitetit të mëparshëm.

Pas rekomandimeve nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ministria e Shëndetësisë sqaroi më herët se nga sot do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet, një seri aktivitetesh dhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dy javor dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

po ashtu, sot hapen plazhet nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt.

Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe që do të administrojë lejet për cdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe.

Do të lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.

Mbeten ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve që do të bëhet publik së shpejti. Ndërsa deri më datë 23 Qershor do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike.

Të fundit