Flash News

KRYESORE

Përgjimet që rrëzuan qeverinë e Austrisë- E gjithë historia

Një shtëpi (borë e bardhë) pushimi me në një kodër, disa kilometra larg qytetit të Ibiza-s. Tri dhoma gjumi, katër banjo, një pishinë në natyrë dhe një shtëpi të veçantë mysafiresh me rreth 500 metra katrorë hapësirë e shfrytëzueshme për 1,000 euro në natë.

Grupi që kuvendonte në tarracë mbrëmjen e 24 korrikut 2017, duke pirë shampanjë, duke ngrënë ton tartar dhe sushi, po diskutonte për tema delikate: Si mundë të siguronin që një investitori rust'i jepeshin kontrata nga bizneset dhe qeveria austriake?

Po mendonin për kuadrin e madh. Asgjë nuk dukej e pamundur. Ata diskutuan licencat e kazinove, shitjen e një hoteli të vjetër luksoz, kontratat për ndërtimin e autostradës - të gjitha për investitorin rus. Ata madje diskutuan blerjen e Kronen Zeitung, një nga gazetat më të shitura në Austri.

Grupi përfshinte një grua me gjasë nga Rusia, një grua austriake me origjinë serbe dhe një diplomë masteri dhe tre austriakë të veshur si për pushime.

Në atë moment, dy prej tyre ishin tashmë në rrugën e sipër drejt qendrës së pushtetit politik: Heinz-Christian Strache, kreu i Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë të Austrisë (FPÖ) dhe Johann Gudenus, anëtar i bordit federal të FPÖ dhe një ish nënkryetar i bashkisë së Vjenës, i cili ishte gjithashtu burri i gruas së lindur në Serbi.

Gati tre muaj pas takimit në vilë, austriakët do të shkonin në votime për të zgjedhur një Këshill të ri Kombëtar, dhomën e ulët të Parlamentit. Pas dy muajsh, Strache do të betohej si zëvendëskancelar i Austrisë. Gudenus u promovua në krye të grupit parlamentar të partisë.

Në Ibiza, ndërsa të dy flisnin me kënaqësi rreth marrëveshjeve miliona euroshe, dukeshin si dy pijetarë me pushime. Por, që nga dhjetori 2017, ata kanë ndihmuar në përcaktimin e rrjedhës së qeverisë federale në Vjenë. FPÖ është pjesë e koalicionit qeverisës austriak, duke u bërë në zgjedhjet e fundit një kingmaker për Kancelarin Sebastian Kurz dhe Partinë Popullore (ÖVP).

Të dy burrat qenë ulur së bashku për gjashtë orë atë mbrëmje të ngrohtë, në kohën kur një dyshim i errët përfshiu Strache : "Kurth, kurth, është një kurth", i pëshpëriti ai fqinjit të tij Gudenus. Por së shpejti shqetësimet e tij duket se zhduken. "Kjo nuk është një kurth," e siguron Gudenus.

Por, udhëheqësi i FPÖ kishte të drejtë. Takimi ishte një kurth. Vila ishte e përgjuar dhe pajisur me disa kamera të fshehta.

Gruaja e supozuar si ruse, Alyona Makarova , që pretendonte se kishte edhe shtetësi letoneze, hiqej si mbesa, e uritur për investime, e një oligarku të pasur. Historia e saj: Ajo donte të investonte 250 milionë euro në Austri, si kapital që "nuk mund të depozitohet në bankë", sepse shuma ishte "në fakt, jo plotësisht e ligjshme", shpjegoi me sinqeritet shoqëruesi i gruas.

Videot nga ajo mbrëmje në Ibiza u vunë në dispozicion të DER SPIEGEL dhe Süddeutsche Zeitung.

Potencialisht kriminale?

Regjistrimet janë mina politike. Ata zbulojnë pikëpamje shumë të diskutueshme të politikanëve austriakë aktualisht në detyrë. Ata tregojnë se këta politikanë ishin të gatshëm të rrisin rezultatet e zgjedhjeve të FPÖ me ndihmën e parave ruse. Premtimet e bëra atë mbrëmje dhe praktikat që zbuluan mund të jenë potencialisht kriminale për dikë me post politik.

Për shkak të rëndësisë politike dhe interesit publik, DER SPIEGEL dhe Süddeutsche Zeitung kanë vendosur të publikojnë përmbajtjen e këtyre bisedave.

Burimi është i njohur për redaktorët e të dy mediave, por këmbëngul që të mbetet anonim. Është e paqartë se me urdhrat e kujt u mashtruan politikanë e FPÖ dhe cilat ishin motivimet e tyre.

Dokumentet vizuale dhe audio janë ekzaminuar nga dy ekspertë të jashtëm dhe konsiderohen të jenë autentike. Nuk u gjet asnjë tregues se regjistrimet ishin manipuluar më pas. Një përkthyes i certifikuar gjithashtu përktheu pjesë qendrore të dialogut në rusisht. DER SPIEGEL ka parë gjithashtu një fotografi të faturës për vilën në Ibiza. U mor me qira nga 22-25 korrik 2017 me një kosto prej 2,936 euro. Imazhet në faqen e internetit të agjencisë me qira tregojnë të njëjtat hapësira të dukshme në video. Dhe në fund, politikanët e përfshirë u ftuan për të komentuar.

Videot nga Ibiza duken si raport i një ëorkshopi në një republikë bananesh: Dy politikanë të rëndësishëm austriakë flasin me një grua që ata as e njihnin për pikëpamjet e tyre për kontrollin e levave të pushtetit dhe se si mund ta kompensonin atë nëse ajo i ndihmonte për të arritur në majë.

Pas disa orësh, grupi filloi të fliste për Kronen Zeitung, ose "Krone", sic njihet ndryshe tabloidi dhe ndikimin e saj në zgjedhjet e ardhshme. Grupi në një pikë vendosi që ta vazhdonte bisedën brenda vilës.

Sugjerimi iu bë ruses së re nga Letonia se ajo duhet që, fshehtazi, yë blinte gjysmën e aksioneve të Kronen Zeitung. Strache tha se nëse gazeta "do të na promovonte" përpara zgjedhjeve, "atëherë nuk do të marrim 27, do të marrim 34 për qind" të votave. Çdo artikull që "na ndihmon, do inatosë të kuq e të zez". Ai i referohej Partisë Social Demokrate të Austrisë (SPÖ) dhe ÖVP, të cilat e kanë qeverisur vendin që nga fundi i luftës, kryesisht së bashku.

'Gjithmonë jini ligjor'

Kronen Zeitung arrin te më shumë se një e katërta e të gjithë austriakëve. Strache, i cili ka qenë kreu i partisë së tij që nga viti 2005, ishte plotësisht i vetëdijshëm se mbështetja nga gazeta do të siguronte një shtytje të konsiderueshme për përpjekjet e tij për të hyrë në kancelariat në Vienë.

Dhe ky ishte pikërisht qëllimi i Strache në verën e 2017. Në atë kohë, megjithatë, kandidati i ri i ÖVP, Sebastian Kurz, sapo kishte kaluar FPÖ në sondazhe.

Në fillim, Strache dukej dyshimtar për pretendimin e rremë të 'ruso-letonezes' se ajo ishte duke konsideruar blerjen e gjysmës së aksioneve të Kronen Zeitung dhe se ishte tashmë në kontakt me dy nga katër trashëgimtarët e të ndjerit Hans Dichand botues i Kronen. "Nuk e prisja," tha ai. Gradualisht, megjithatë, dyshimet e tij duket se zhduken dhe oreksi i tij për një marrëveshje, që potencialisht mund ta sjellë atë më pranë kancelariatit, fitoi. Megjithatë, çdo marrëveshje duhet "gjithmonë të jetë e ligjshme", vazhdonte të theksonte ai.

Me gazetën, tha Strache, ajo do të ishte "në ligën e 10 njerëzve më të fuqishëm në Austri". Ka ende 'mish të huaj' në ekipin editorial të Kronen Zeitung tha Strache "tre, katër njerëz të cilëve duhej t'iu tregohej dera", por shtoi se "ne do të sjellim shpejt pesë të rinj". A janë gjërat vërtetë kaq të thjeshta? "Gazetarët janë kurvat më të mëdha në planet", tha ai.

Gruaja e re pyeti se çfarë do t'i sillte investimi personalisht. "Ju keni një armë në dorë që iu lejon të bëni çfarë të doni në Austri", u përgjigj Strache. Kushdo që zotëron "Krone", tha ai, nuk është vetëm një lider opinioni, por ka "një monopol në pushtet që u lejon të hapin rrugë të tjera biznesi". Më vonë, Strache futi në bisedë edhe perspektivën e kontratave publike për ndërtimin e autostradave, të cilat në përgjithësi i ishin dhënë kompanisë STRABAG në të kaluarën.

Strache pohoi se ai mund të siguronte "lidhjen e munguar" te Grupi Funke Media. Në atë kohë, grupi botues gjerman, i njohur më parë si ËAZ, zotëronte gjysmën e Kronen Zeitung, ndërsa trashëgimtarët e botuesit të vjetër Hans Dichand zotëronin pjesën tjetër.

Strache tha gjithashtu se e njihte njeriun e duhur për të ndihmuar në skemën e një drejtimi të ri për tabloidin: Heinrich Pecina. Investitori, të cilin Strache e përshkroi si një "lojtar i madh", "kishte blerë të gjitha mediat hungareze për Orbán gjatë 15 viteve të fundit dhe i perfeksionoi ato për të".

Një peizazh mediatik si në Hungarinë e Orbanit

Pecina, një biznesmen i cili sillet me një ajri aristokratike, organizoi konsolidimin e peizazhit mediatik hungarez për kryeministrin Victor Orban. Nepszabadsag dhe gazeta të tjera që ishin kritike me qeveribë u blenë dhe, ose u mbyllën brenda natës ose u shitën te njerëz me pikëpamje miqësore ndaj Orbanit. Dikush mund të mësojë nga Hungaria, Strache tha: "Ne duam të ndërtojmë një peizazh mediatik siç bëri Orbani ".

Në përgjigje të një kërkese për koment, Heinrich Pecina tha se ai kurrë nuk kishte pasur të bëjë me Kronen Zeitung. "Në çdo rast, kurrë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë mundësi për të kontrolluar apo ndikuar në Kronen Zeitung në asnjë mënyrë. Siç as nuk e kam pretenduar ndonjëherë një gjë të tillë".

Përtej Kronen Zeitung, Strache vazhdon në video, ORF, transmetuesi publik austriak, ishte gjithashtu shumë i rëndësishëm. Ai tha se ishte e mundshme që të privatizohej pjesërisht, me një pjesë të madhe të shitur te sipërmarrësi i medias Dietrich Mateschitz, kreu i Red Bull dhe kompania mediatike që i përket asaj. "Ne mund të imagjinojmë një ristrukturim të plotë të ORF." Strache e përshkroi veten si "vëllai Red Bull nga Austria".

Përsëri, dhe përsëri, 'rusja' pyeti se çfarëdo të dilte nga gjithë kjo për të. Nëse ajo merr Kronen Zeitung para zgjedhjeve dhe e ndihmoi partinë që të kapë "numrin një", tha shefi i FPÖ, "atëherë mund të flasim për çdo gjë".

Ky do të ishte premtimi më madhështor i Strache-s për atë mbrëmje: Ata mund të flisnin për çdo gjë. Çdo gjë pa kufizim.

Çka ishte dëshirë në Ibiza u bë gradualisht realitet në qeverinë e koalicionit mes ÖVP dhe FPÖ. Kryetari aktual i bordit të administratorëve të ORF është Norbert Steger, ish-kreu i FPÖ. Tri javë më parë, Steger kapi titujt kur ai sulmoi një nga gazetarët më të njohur të ORF. Pasi Armin Ëolf, drejtuesi i emisionit kryesor të lajmeve të rrjetit, mori një intervistë kritike ndaj FPÖ, Steger me sarkazëm tha: "Do të merrja një udhëtim sabatik, të udhëtoja nëpër botë me paratë e taksapaguesve dhe do të rishpikja veten".

Nuk është sikur ndërhyrjet e motivuara politikisht janë diçka e re në ORF. Në fakt, ato kanë qenë rregulli për dekada të tëra. Por që kur FPÖ ka qenë pjesë e qeverisë, pavarësia editoriale e transmetuesit është sfiduar masivisht. Zëvendës kancelari Strache kishte premtuar në Facebook se do të punonte "si një luan" për të eliminuar "tarifat e detyrueshme të ORF".

FPÖ nuk ka pushtet vetëm mbi mediat publike, por edhe mbi shumë aspekte të tjera të vendit. Partia, për shembull, mban ministritë kryesore, duke përfshirë portofolet e Jashtme, të Brendshme, të Mbrojtjes dhe çështjet Sociale.

'Lobi i Homoseksualëve'

Të tre shërbimet e inteligjencës austriake mbikqyren nga ministritë nën udhëheqjen e FPÖ, një parti që ka qenë e lidhur me 'Rusinë e Bashkuar', e cila aktualisht kontrollon Kremlinin, që nga nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi në vitin 2016. Shqetësimet se Moska mund të ketë akses në shërbimet inteligjente austriake ka bërë që agjensitë perëndimore të inteligjencës të kufizojnë informacionet që ndajnë me Vjenën.

Afërsia e partisë me Rusinë gjithashtu luajti një rol vendimtar në takimin e Ibizas. Johann "Joschi" Gudenus, që ishte përkthyesi për 'rusen', ka ndjekur kurse në një universitet në Moskë. Biri i një ish-politikani të FPÖ dhe një mohues i dënuar i Holokaustit, ai ka qenë pjesë e kampit të krahut të djathtë që nga rinia e tij. Në të vërtetë, Gudenus konsiderohet si një nga ndërmjetësit më të rëndësishëm në mes të FPÖ dhe Rusisë. Ai madje pranoi një ftesë për të vizituar Groznin nga udhëheqësi i dhunshëm çeçen Ramazan Kadyrov, si dhe një nga pushtuesit rusë të Krimesë. Në Katedralen e Moskës, ai shfreu kundër BE-së, duke e përshkruar atë si një strehë për "lobin homoseksual".

Strache e sheh "Joschin" si dicka të përafërt me 'krahun e djathtë'. Ata kanë qenë afër për vite: Në Vandalia, një vëllazëri studentore vjeneze, Strache ishte mentori i Gudenus. Tani Strache e sheh Gudenus si njeriun e tij për Rusinë dhe ai është organizatori i takimit në vilë.

Zyrtari i ri i FPÖ kishte dëgjuar shumë gjëra për 'rusen' për një kohë të gjatë. Supozohej se ajo ishte e interesuar për blerje pronash në Austri dhe familja e Gudenus zotëronte tokë bujqësore në Austrinë e Poshtme. Kështu që u takuan në Vjenë. Në videon e Ibizas, Gudenus mund të dëgjohet duke thënë se gruaja kishte ofruar të paguante pesë herë mbi vlerën e pronës. Por, gjatë bisedës në Vjenë u shfaq plani për një skemë më të madhe.

Në një nga videot, Strache tha se Austria duhet të orientohej kah Grupi Visegrad në të ardhmen, duke iu referuar aleancës joformale të anëtarëve të BE-së në Europën Lindore, përbërë nga Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria. Ai tha se vendi duhet të "hapet shumë fort drejt Lindjes", drejt Rusisë. "Ne kemi dekadencë në Perëndim," tha Strache , "por në Lindje njerëzit janë normalë".

Kreu i FPÖ tha se kishte qenë në Moskë në shumë raste, duke vënë në dukje se kishte takuar këshilltarët e Putinit mbi 10 vjet më parë dhe kishte bërë plane për "se si mund të punojmë së bashku në mënyrë strategjike". Ai, gjithashtu, tha se Serbia është një vend fantastik dhe se disa nga miqtë e tij kishin investuar shumë atje, dhe se ai ishte pothuajse aq i dashur në sondazhet e atjeshme sa dhe Putini.

Përtej monumentalizimit të vetes nga Strache, tema qendrore e takimit ishin paratë - dhe si mund të mbështetej financiarisht FPO. Strache i tha 'ruses' se si ajo mund të anashkalonte pengesat ligjore për të dhuruar para për FPÖ. Nëse modeli që përshkruan Strache vërtetë ekziston, do të ishte një rast i qartë i financimit të paligjshëm të partisë.

Donatorë të mëdhenj

"Janë disa njerëz shumë të pasur, ata paguajnë mes 500,000 dhe 1,5-2 milion", tha Strache. Në një pikë tjetër, ai tha se paratë ende nuk ishin transferuar, por ishin premtuar. Dhe për këto shuma të mëdha, është ngritur një shoqatë jofitimprurëse që nuk ka të bëjë fare me partinë. "Për shkak të kësaj, nuk ju kërkohet të raportoni në Gjykatën e Auditimit", tha Strache , duke hapur krahët në një mbledhje supesh, me cigaren që nuk i ndahej nga dora. Gudenus shtoi në rusisht se askush nuk e dinte për ekzistencën e shoqatës. Strache tha se ishte drejtohej nga tre juristë.

Rregullat e Austrisë sa i takon donacioneve politike janë të ngjashme me ato në Gjermani: Nëse një kontribut është më i madh se 50,000 euro duhet t'i raportohet Gjykatës së Auditimit. Donacionet e bëra nga të huajt nuk mund të kalojnë 2,641 euro.

Strache pohoi se kishte dhjetë dhurues potencialë të mëdhenj të FPÖ dhe donte të vizitonte secilin prej tyre personalisht. Gaston Glock, për shembull. Ndërsa fliste, Gudenus u ngrit dhe formoi me duar një armë për të bërë të qartë për Alyonan se si prodhuesi i armëve nga rajoni austriak juglindor i Kärnten i bënte paratë. Gjithashtu u përmend edhe Heidi Horton, një trashëgimtare miliardere e rrjetit të qendrave tregtare. Strache tha se kishte mbështetës që kishin bërë ose kishin planifikuar të bënin donacione për Kancelarin Sebastian Kurz "dhe për ne", duke përfshirë miliarderin dhe pronarin e pasurive të patundshme René Benko. Dhe "disa lojtarë të mëdhenj", si kompania e lojërave të fatit Novomatic, një nga tatimpaguesit më të mëdhenj të Austrisë: "Ata i paguajnë që të tre", thotë Strache, dmth ÖVP, SPÖ dhe FPÖ.

Kur u kontaktuan, të gjitha kompanitë dhe individët e përmendur nga Strache pohuan se kurrë nuk kanë dhuruar para për FPÖ, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi. Kur u pyetën në lidhje me donatorët e supozuar, Strache dhe Gudenus konfirmuan me shkrim se "FPO nuk kihste marrë donacione nga njerëzit dhe kompanitë e përmendura".

Në Ibiza Strache tha se Alyona ishte e mirëpritur që "në çdo kohë të bënte donacione nëpërmjet shoqatës", nëse ajo "dëshironte". Strache tha se donatorët e partisë qenë të prirur të ishin idealistë. Duke u kthyer nga miku i tij Gudenus, Strache i kërkoi "Joschit" që t'i shpjegonte gruas ruse që mbështetësit e FPO"nuk duan që Austria të islamizohet, ata nuk duan që fëmijët dhe nipërit e tyre të shkatërrohen."

FPÖ e sheh veten si një "parti e atdheut social", një slogan që përdoret gjithashtu nga partia neonaziste NPD në Gjermani. Në zgjedhjet e fundit, partia tërhoqi mbështetje të konsiderueshme nga klasa punëtore, pjesërisht për shkak të aftësisë së tij për të thjeshtuar madje edhe çështjet më të komplikuara dhe për të luajtur njeriun e zakonshëm, madje edhe në rolin e tij si zëvendëskancelar. Të gjitha këto e bëjnë videon e komenteve të tij në Ibiza edhe më tronditëse.

Strache foli për mbrëmje të kaluara duke ngrënë havjar dhe goca deti, 1.600 euro për tryezë - "jo aq të shtrenjta", tha ai. Ai foli për një mik i cili kishte blerë një minierë diamanti në Afrikë dhe një biznesmen në Tel Aviv, i cili, pretendon ai, ruante diamante me vlerë 400 milionë euro në zyrën e tij të siguruar mirë.

'Para me tonelata'

Në publik, Strache pëlqen ta portretizojë veten si një luftëtar anti-establishment. Në vilë, ai foli sikur kishte qenë në raporte të ngushta me miliarderët e Austrisë për shumë kohë. Ai tha se kishte "raporte të mira" me biznesmenin e njohur të majtë vjenez Martin Schlaff dhe se ai me gjasë kishte takuar manjatin e pasurive të patundshme dhe pronarin e Karstadt, René Benko në Ibiza, sepse ky i fundit kishte qenë atje në bordin jahtit të tij 62- metrosh Rome. Strache gjithashtu ka lidhje me Mateschitz, pronarin e Red Bull i cili ka edhe Servus TV. Strache tha se ai është "i mirë" por nuk e kupton biznesin e medias. Strache gjithashtu foli për miq në Ukrainë dhe Rusi, me shumë para, për kontakte me një grup miliarderësh në Kinë. "Ata qen," tha në video njeriu i cili tani është (ishte) zv / kancelari i Austrisë "kanë tonelata me para".

Rruga e Straches për në majë ishte e vështirë. Nëna e tij, një farmaciste, e rriti atë e vetme dhe përmes një shoqërie të dhunshme studentore, ai ra në kontakt me ekstremistët e krahut të djathtë. Fotot e tregojnë atë më vonë duke marrë pjesë në stërvitjet ushtarake me neonazistët. Një teknik stomatolog i trajnuar, ai u distancua nga ekstremi i djathtë i spektrit politik në fillim të viteve 1990. Në vitin 2005, ai u bë kreu i FPÖ, një parti e cila ishte zbrazur nga Jörg Haider kur ai u largua për të formuar një parti të re, dhe që kapte vetëm 4 për qind në sondazhe. Gjatë 12 viteve të ardhshme, Strache arriti të rriste mbështetjen për partinë me gjashtë herë.

Ka dicka për të cilën Strache e ndjen veten krenare, dhe ai nuk bën asnjë përpjekje për ta fshehur. Ai vazhdonte të kthehej te parimi i ndershmërisë dhe përbetimet e tij të përsëritura mbi këtë temë atë mbrëmje në Ibiza filluan të tingëllonin si magjepsje. "Kjo është e shenjtë për mua: Unë nuk bëj asgjë të paligjshme", tha ai disa herë, i ulur në kanape zhytur mes pijeve Red Bull dhe tavllave të duhanit. "Kjo është ajo që jam, dhe kjo është forca ime". Ai tha se gjithmonë ka refuzuar përpjekjet për ryshfet, sepse "nuk më nevojitet kjo gjë" dhe tha se ai dëshiron "të ngrihet në mëngjes dhe të thotë, unë jam i pastër". Ai tha se kjo ishte gjithmonë mënyra e tij dhe "në të vërtetë, më solli në vendin ku jam sot. Tani lojtarët e mëdhenj thonë: Duhet ta marrim këtë djalosh seriozisht".

Ndërsa Strache e konsideron veten të pasulmueshëm, ai e shijon dobësinë e atyre që quan "Schneebrunzer ", fjalë për fjalë: njerëzit që shurrojnë në borë, dmth idiotë. Shefi i FPÖ pretendoi të ishte në dijeni të materialeve inkriminuese që ekspozonin dy politikanë nga koalicioni i mëparshëm qeveritar i Social-Demokratëve dhe Kristian- Demokratëve. Politikanët e dinin se ishin të ekspozuar, kështu që ata krijuan një lloj pakti jo agresioni, pohoi ai.

Nëse fotot përkatëse do të publikoheshin nga ndonjë vend i huaj, partitë e qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë do të ishin në telashe të mëdha, tha Strache, duke shtuar se do të rezultonte në një "luftë nukleare" politike.

Paratë e paligjshme ruse

Njeriu, i cili, deri para disa çastesh, kishte lëvduar pakorruptueshmërinë e vet, qëndroi në vend ndërkohë që biseda në vilë u zhvendos drejt perspektivave kompromentuese të biznesit. Grupi filloi të diskutojë një privatizim të mundshëm të pronave shtetërore në të cilat mund të rrjedhin paratë e paligjshme ruse.

Strache kategorikisht refuzoi disa nga sugjerimet e propozuara nga autorët e kurthit. Ka "zona që nuk privatizohen", tha ai. Ai nuk iu përgjigj sugjerimeve të tjera duke qëndruar i qetë dhe duke thithur gjatë cigaren ose duke kafshuar thonjtë. Përsëri dhe përsëri, ai këmbënguli që çdo marrëveshje duhet të bëhet brenda fushës së ligjshmërisë.

Por, ai foli mbi idetë e tjera. Kur konfidanti i 'mbesës së oligarkut' theksoi se për të nuk ka të bëjë me sigurimin e kontratave publike, por një "shume të majme" - një shtesë që do të binte në kurriz të tatimpaguesve - Strache në fillim reagoi në kundërshtim. Por pastaj tha: "Jaaa. Ja. Ja". Kur konfidanti më pas foli për një shtesë që do të "garantohej", shefi i FPÖ-së u përgjigj: "E përsëris, do ta merrni këtë me kontratat publike".

Ata gjithashtu folën për 'rusen' dhe përfshirjen në kazinotë e kontrolluara nga shteti. Strache ra dakord se ato meritojnë që më në fund të privohen nga fuqia e tyre, duke thënë: "Ne duam ta thyejmë këtë monopol". Por ai pranoi se kjo do të ishte "shumë e zorshme". Strache e dinte këtë nga përvoja personale. Procedurat ligjore kundër ish-ministrit austriak të financave Karl-Heinz Grasser mbi dyshimet për ryshfet - të cilat Grasser i mohon - në lidhje me lehtësimin e planifikuar të monopolit të lojërave të fatit ishin arkivuar vetëm pak kohë më parë.

Por, kur biseda u zhvendos drejt autostradave dhe ndërtimit të rrugëve, shefi i FPÖ u ngjall. "Gjëja e parë që mund të premtoj nga përfshirja e qeverisë është se Haselsteiner nuk do të marrë më kontratë", tha Strache duke iu referuar Hans Peter Haselsteiner, një industrialist dhe filantrop austriak, i cili është kryetari aktual i STRABAG, ndërmarrjes më të madhe të ndërtimit austriak. Në vitin 2018, STRABAG kishte më shumë se 15 miliardë euro (16.8 miliardë dollarë) të ardhura. Deri më sot, Haselsteiner dhe familja e tij mbajnë më shumë se një të katërtën e aksioneve të kompanisë.

Në vitet 1990, Haselsteiner u zgjodh në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Austrisë, Nationalrat, si pjesë e partisë së Forumit Liberal. Kohët e fundit, biznesmeni mbështeti NEOS, një parti politike neoliberale, me një donacion prej 1.7 milion euro. Fakti që "oligarku Haselsteiner dhe miqtë e tjerë Social-Demokratë dhe Kristian- Demokratë, të përkëdhelurit e sistemit, kujdesen vetëm për kontratat publike dhe shtetërore" e mërzisnin Strachen, ish-liderin e opozitës, aq shumë sa që disa ditë para se të nisej për Ibiza, ai përdori Facebookun për të shfryrë tërbimin.

'Joschi, kryeje këtë!'

Duke pasur parasysh këtë, pyetja nga 'ruso-letonezja' dje konfidanti i saj për kontratat e ndërtimit të autostradave ishte muzikë për veshët e Straches. Nëse ajo do të ndihmonte me vendosmëri FPÖ para zgjedhjeve "atëherë as që diskutohet fare, më falni, më falni. I thoni asaj se duhet të themelojë një kompani si STRABAG dhe të gjitha tenderët publikë që STRABAG merr tani, do të jenë të sajët".

Për një zv/kancelar, duhet të jetë vepër penale të bërit e premtimeve të tilla për kontratat qeveritare. Por në kohën e incizimeve, në vitin 2017, Strache nuk kishte një post që do t'i lejonte të jepte kontrata ndërtimi, kështu që ato ndoshta nuk ishin kriminale - por ato ishin, sigurisht, etikisht të dyshimta. Përdorimi i perspektivës së kontratave publike në këmbim të mbështetjes në fushatën zgjedhore, më paktën mban era korrupsion.

Kur u pyet për takimin në vilë, Heinz-Christian Strache kujtoi se një "shtetase letoneze" dhe i besuari i saj e ftuan për darkë. Ishte një takim "thjesht privat" në një atmosferë "të relaksuar, joformale dhe të pijetare", shkruan Strache përmes ËhatsApp. "Unë vazhdimisht vura në dukje dispozitat përkatëse ligjore dhe nevojën për t'u pajtuar me sistemin ligjor austriak për çdo çështje që kemi diskutuar". Ai shkroi se kjo vlen edhe për "mundësitë e donacioneve për partitë ose donacionet për shoqatat jofitimprurëse në përputhje me statutet përkatëse". Strache dhe FPÖ nuk morën, as nuk premtuan, "ndonjë përfitim" nga këta njerëz, tha ai.

"Përveç kësaj," shkroi zv/kancelari i Austrisë, "pavarësisht nga fakti se shumë alkool u konsumua teksa mbrëmje kalonte, ka pasur gjithashtu një pengesë të madhe gjuhësore dhe asnjë përkthyes profesional për të përkthyer nga rusishtja dhe anglishtja në gjermanisht".

Johann Gudenus, i cili thotë se e ka njohur shtetasen letoneze për njëfarë kohë, ofroi një përgjigje të ngjashme. Gruaja ishte e interesuar në një zonë gjuetie që ai zotëron, tha Gudenus. Ai argumenton se ajo i tha se bashskë me vajzën po planifikonin të shkonin në Vjenë dhe të vendoseshin atje dhe të investonin në Austri. Të dy politikanët pretendojnë se nuk kanë pasur më kontakt me gruan.

Deklaratat e dyshimta të zv/kancelarit austriak dhe të besuarit të tij të ngushtë ka të ngjarë të jenë një presion i konsiderueshëm për kancelarin austriak, Sebastian Kurz. Koalicioni midis ÖVP dhe FPÖ është tensionuar kohët e fundit, madje edhe pa këto zbulesa të reja. Lidhjet e Partisë së Lirisë me grupe ekstremiste të ekstremit të djathtë, të tilla si "Lëvizja Identitare" , si dhe deklaratat raciste dhe botimet e njerëzve të lidhur me partinë, si dhe trajtimi i partisë nga reporterët kritikë me transmetuesin publik të Austrisë ORF - gjithë kjo ka qenë temë e debatit intensiv në vend.

Njerëzit afër Kurz thonë se koalicioni qeverisës në Vjenë nuk është në rrezik kolapsi. Një partner i ndryshëm i koalicionit do të ishte i dëshirueshëm, thonë ata, por FPÖ është kaq e painteresuar për politikat (policy) saqë ÖVP mund të qeverisë siç e sheh të arsyeshme. Mbetet për t'u parë nëse Kurz mund të qëndrojë pas këtij pozicioni tani që zëvendësi i tij ka treguar se ka qenë i hapur, të paktën në të kaluarën, ndaj idesë së kryerjes së marrëveshjeve me para të pista.

Takimi në vilë zgjati më shumë se gjashtë orë. Në fund, Strache u bë dyshues. Alyona kishte thonj këmbe të pistë, vuri re befas lideri i FPÖ. "Kjo nuk përputhet me pamjen e përgjithshme," murmuriti ai. Më parë, ai ishte ankuar se partia e tij populiste e ekstremit të djathtë duhet të ishte vazhdimisht vigjilente. "Ne e dimë se jemi nën vëzhgim 24 orë në ditë, që njerëzit do të jenë të lumtur për të na shkatërruar edhe për gjënë më të vogël." Por Gudenus e qetësoi dhe Strache vazhdoi të pinte dhe të bisedonte, në dukje i pa shqetësuar.

Shumë kohë pas mesnatës, vizitorët thanë se duhej të largoheshin. Ata donin të shkonin në një klub, disa kilometra larg në Platja d'en Bossa.

Me largimin e tyre, Strache foli me të besuarin e 'ruses' dhe me Gudenusin për herë të fundit. Ai argumentoi se ajo duhet të bënte "gjënë e duhur dhe të zgjuar" dhe të blinte Kronen Zeitung. Konfidanti i Alyonas e paralajmëroi: Ajo largohet nesër, nëse doni ta bëni këtë, duhet ta bëni para se ajo të ikë".

Para se të hipnin në makinë, Strache e dërgoi Gudenusin në vilë. "Kryeje, Joschi !", i tha ai.

Gudenus dhe Alyona shkuan në kuzhinë. Të filmuar nga një kamera edhe atje.

Njeriu i FPÖ i pëshpëriti gruas në rusishte paska të thyer: "Ne jemi 100 për qind të përgatitur për të ndihmuar, duke marrë parasysh gjithçka".

 *Përkthimi nga Politiko.al

Të fundit