Flash News


POLITIKOFF

“Shkodra Elektronike” ngjitet sonte në skenën e Eurovision 2025

“Shkodra Elektronike” ngjitet sonte në skenën e Eurovision

Sonte në Bazel të Zvicrës nis nata e parë gjysmëfinale e Eurovision Song Contest 2025, një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura në botë. Shqipëria përfaqësohet këtë vit nga grupi “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, një krijim që ndërthur traditën e folklorit shkodran me rrymat e muzikës elektronike moderne.

Sipas renditjes së shpallur më 27 mars, përfaqësuesit shqiptarë do të ngjiten në skenë të 12-tët, mes 15 vendeve që garojnë sonte për një vend në finalen e madhe.

Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, dy artistët pas “Shkodra Elektronike”, kanë sjellë një stil unik që ka tërhequr vëmendjen e publikut ndërkombëtar. Pas fitores në Festivalin e Këngës në RTSH, “Zjerm” është shndërruar në një sensacion online, duke grumbulluar qindra mijëra shikime dhe komente pozitive në YouTube.

Pritshmëritë për Shqipërinë janë të larta, me shumë fansa dhe analistë të “Eurovision”-it që e konsiderojnë “Zjerm” si një nga hyrjet më origjinale dhe artistikisht të guximshme të këtij edicioni.

Finalja e madhe e “Eurovision 2025” do të mbahet më 17 maj, ku vetëm 10 shtete nga nata e sotme do të sigurojnë një vend. Tifozët shqiptarë në mbarë botën janë të ftuar të mbështesin përfaqësuesit tanë në këtë garë prestigjioze.

 

Të fundit