Flash News

KRYESORE

Prokuroria bashkon dosjet: Katër grabitjet në Tiranë dhe Lushnje nga i njëjti grup

Prokuroria bashkon dosjet: Katër grabitjet në Tiranë dhe Lushnje

Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorë hetimet për 4 raste grabitjesh, që dyshohet se janë kryer nga i njëjti grup personash. Prokuroria ka bashkuar dosjet e grabitjeve të argjendarive në Lushnjë dhe Tiranë, pasi kanë rezultuar me karakteristika të ngjashme të sjelljes së autorëve, por edhe veshjeve që kanë përdorur.

Një tjetër dosje e bashkuar me dy të parat është edhe grabitja e dy bankomateve në Vorë dhe Kamzë në të njëjtën ditë. Skema është e njëjtë, thotë Prokuroria, ndërsa burime thonë se të dyshuar janë edhe disa persona, por hetimet vazhdojnë për të bërë zbardhjen e plotë të grabitjeve dhe funksionimin e grupit.

Sipas hetimeve të deritanishme, mësohet se personat që kanë kryer grabitjet e dy argjendarive kanë sjellje agresive, pasi kur janë futur në ambientet e brendshme, kanë shkatërruar gjithçka dhe janë larguar duke marrë çfarë kanë mundur. Nga kamerat e sigurisë, ata duken të veshur të gjithë me të zeza, kanë kapuçë dhe dorashka në duar dhe të njëjtat veshje kanë përdorur në të dyja rastet, në Lushnjë dhe në Tiranë.

Vjedhja në Lushnjë është kryer nga 4 persona të maskuar, rreth orës 5 të mëngjesit. Sipas pamjeve të kamerave, fillimisht hajdutët kanë hapur me levë hekuri qepenin e më pas kanë thyer xhamat e dyqanit dhe të vitrinave.

Edhe në rastin e grabitjes së argjendarisë në Tiranë, është e njëjta skemë. Katër persona, që dyshohet se kanë përdorur mjetet të forta për të thyer xhamat e dyerve të argjendarisë, më pas kanë marrë aty bizhuteri dhe gurë të çmuar.

Edhe thyerjet e dy bankomateve në Vorë dhe Kamzë dyshohet se ka ndodhur nga i njëjti grup, i cili në momentin e thyerjes janë kapur nga kamerat e sigurisë, ndërsa kanë qenë të maskuar.

Të fundit