Flash News

KRYESORE

Albin Kurti: Cilët janë serbët që do bëj pjesë të qeverisë dhe çfarë do të ndodhë me taksën 100 përqind

Albin Kurti: Cilët janë serbët që do bëj pjesë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka dhënë një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” ku ka folur ndër të tjera edhe për marrëveshjet politike me palën serbe, si dhe rreth mundësisë së heqjes së taksës 10 përqind për mallrat serbe.

Në lidhje me marrëveshjen, Kurti është shprehur pozitiv, duke deklaruar se është gati të bashkëpunojë me çdo serb që pranon shtetin e Kosovës, qoftë brenda apo jashtë Listës Serbe.

“Natyrisht se ne do të respektojmë Kushtetutën, por të respektosh atë nuk do të thotë se nuk ke strategji politike. Strategjia jonë politike, e cila ka një bazë etike, është që fillimisht të kontaktojmë dhe të shohim të gjitha mundësitë për inkuadrimin e serbëve të Republikës së Kosovës, të cilët e njohin dhe e pranojnë shtetin tonë”, deklaroi Kurti.

I pyetur se me kë konkretisht planifikoni këtë dialog dhe cili do të jetë qëllimi, kreu i VV u tha se do të jenë ata që kanë pranuar pavarsinë e Kosovës dhe duan të kontribuojnë në ndërtimin e një shteti demokratik. Sipas Kurtit, serbët e Kosovës kanë probleme më të mëdha me Beogradin se sa me Prishtinën.

“Pa dyshim që emrat si Nenad Rashiç, Sllobodan Petroviç, Petar Miletiç e të tjerë, janë ata të cilët i kemi në mendje kur i mendojmë serbët, të cilët kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kanë vendosur të jetojnë në Kosovë dhe duan që të kontribuojnë në shtet-ndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë, për dallim të atyre, të cilët i kanë dirigjentët në Beograd dhe vijnë në Kosovë për të provokuar. Unë besoj që qytetaret serbë të Kosovës pakrahasimisht kanë probleme më të mëdha me Beogradin, sesa me Prishtinën”, u shpreh kreu i Vetëvendosjes.

Për sa i përket taksës, Kurti tha se janë jo vetëm të gatshëm për këtë, por edhe të interesuar. Zëvendësimi i kësaj takse, sipas Kurtit, do të bëhet me reciprocitet të plotë me Serbinë.

“Ne jemi jo vetëm të gatshëm, por edhe të interesuar që tarifën 100 për qind, ta zëvendësojmë me reciprocitet të plotë me Serbinë në përputhje me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011. Serbia nuk mund të presë që ajo të sillet mbrapsht e keq me neve, e ne të mos e mbrojmë interesin tonë.

Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri- tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Kurti për Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, nuk dihet nëse pala serbe do ta pranojë këtë, por ai u shpreh se  beson që faktorët ndërkombëtarë do ta mirëkuptojnë.

Të fundit