Flash News

KRYESORE

Albumi ditar i gazetares e studiueses Mirela Oktrova nderohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës me çmimin e publicistikës në edicionin e 21-të të Panairit të Librit në Prishtinë

Panairi i Prishtinës

Rrëfimi i reporteres Oktrova në “55 ditë” libri më i mirë publicistik

 

Mirela Oktrova, gazetarja që 20 vjet më parë raportoi për Evropën nga kampet e refugjatëve në Maqedoni dhe hyri me forcat e Natos në Kosovë është vlerësuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në kuadër të Panairit të librit, Prishtina 2019 me Çmimin e publicistikës. “55 ditë”, quhet albumi ditar, që botohet nga “Onufri”, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës, si dokumentim dhe dëshmi e së shkuarës së afërt, jo vetëm përmes rrëfimit por duke u shoqëruar me foto unike nga zona e krizës, kur çdo ditë me mijëra shqiptarë të Kosovës evakuoheshin drejt Perëndimit.

“Ndihem e privilegjuar, që pas 20 vjetësh, kam mundësi t’ja ofroj publikut, ditarin tim të luftës së Kosovës, mbajtur me shkrim dhe fotografi, duke rrëfyer kështu me fakte dhe dëshmi të patjetërsueshme të vërtetën time, për një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare…”, ka thënë Oktrova, mes të tjerash në ditën e promovimit të librit, në sheshin e RTV21 ku merrnin pjesë studiues, shkrimtarë, gazetarë e kritikë nga Kosova dhe Shqipëria.

Albumi ditar shoqërohet me parathënie të akademikut dhe shkrimtarit Mehmet Kraja, i cili ndër të tjera veçon: “M. Oktrova bën pjesë ndër ata gazetarë, të cilët nuk do të harrohen shpejt, sepse ishte një zë, që për ditë me radhë, përmes valëve të “Dojçe-Velles”, shoqëroi mbijetesën dhe ushqeu shpresat e mijëra refugjatëve në të gjithë kampet e Maqedonisë. Çfarë mund të thuash për një luftë, e cila, si çdo luftë tjetër, përveç se përfshin në vete subjekte rrëfimesh pa fund, e ndodhur në kohë moderne, me një përfshirje të paparë të mendjeve botërore, ka pasur aq shumë medialitet, sa që të duket e pamundur të gjesh sadopak hapësirë, për të qenë sadopak origjinal në cilindo rrëfim dhe në çfarëdo qasje. M. Oktrova e ka gjetur pikërisht një hapësirë të tillë, duke e zhvilluar rrëfimin në dy vija paralele brenda të njëjtës kronikë, duke sugjeruar që në krye të herës dhe duke iu përmbajtur idesë themelore se lufta e Kosovës e vitit 1999 ndodhi në disa zhvillime suksesive dhe se ishte dramë me disa akte të njëkohshme. Në këtë dramë kishte politikë botërore të përmasave kolosale; kishte veprime ushtarake me taktika të koordinuara dhe të planifikuara të aleancës më të madhe në botë; kishte luftë lokale grupesh guerile; kishte masakra dhe gjenocid dhe, po në këtë kuadër, kjo luftë kishte anën e saj më të dhimbshme: pësimin e madh të popullsisë civile dhe humanitetin e paparë të bashkësisë ndërkombëtare. M. Oktrova në librin e saj nuk merret me të gjitha këto zhvillime të njëhershme, por përqendrohet te një paraqitje ditë pas dite, në formë të përmbledhur, të zhvillimeve dhe ngjarjeve politike dhe ushtarake, duke vënë pranë kësaj kronike, në rrëfim paralel dhe në një mënyrë krejt të natyrshme dramën e madhe të refugjatëve, një dramë kolektive me tronditje të mëdha, me shumë protagonistë anonimë, me shumë njerëz shpresash të humbura, vuajtjesh të rrëfyera dhe të parrëfyera.”

Në Prishtinë, në takimin e promovimit, poetja, studiuesja dhe kritikja Ledia Dushi duke u ndalur në raportet e kujtesës me të vërtetën, shprehet për albumin ditar të Oktrovës: “Studiuesja dhe gazetarja Mirela Oktrova… është mike e përkryer e të vërtetës. Dhe të vërtetën absolute nëpër të cilën jeta e saj ka gjalluar me ditë të tëra, këtu e njëzet vjet të shkuara, Mirela Oktrova e bën të mundur për ne nëpërmjet librit të saj në trajtë ditari, të titulluar 55 ditë. Kujtesa është thelbi i këtij libri. Kujtesa është edhe mjeti për t`i bërë rezistencë indiferencës. Duke lexuar 55 ditët e Mirelës, jam ndjerë e transportuar në një realitet tjetër, ndryshe nga ai që jetojmë, ndryshe nga ai që jemi mësuar të na kallëzohet, ndryshe nga ai që na e shërben politika me këmbëngulje të papërtuar. 55 ditët e Mirela Oktrovës që u ndeshën me 15 000 fate njerëzish, që siç thotë autorja “e tronditën me jetën dhe dëshmitë e tyre, dëshmitë e atyre kohëve lot thara kur natën e shkurtonte halli dhe gjumin e zbonin mbresat”, janë vetë fati i popullit shqiptar të Kosovës, janë ai alfabeti që duhet t`i kthejë kujtesën një populli mbarë, kujtesën që do të mund t`i ngjallë shpresën, shpresën që na kujton se Paqja nuk është dhuratë e Zotit, por dhurata jonë për njëri- tjetrin”, ka ndarë më tej Dushi.

Ngjashëm është shprehur edhe Mehmet Kraja, në mbyllje të shënimit të vet, referuar rëndësisë së

botimit të librit si kujtesë në 20 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sipas të cilit: “…Rrëfimi i M. Oktrovës duket sikur gjithnjë është në kërkim të bashkëndjerjes, të solidaritetit-plus, që shkon përtej të mirave materiale dhe ekzistencës fizike: rrëfimi kërkon të depërtojë në gjendje shpirtërore kolektive, për të zbuluar anën e brendshme të dramës, anën e saj njerëzore, që nuk mund të matet me asnjë parametër jashtësor. I botuar në 20-vjetorin e luftës së Kosovës, libri i M. Oktrovës është një thirrje për të mos harruar. Përjetimet e rrëfyera në këtë kronikë, ndër të tjera, kanë edhe një të veçantë tjetër: duke qenë subjektive, personale, ato janë njëkohësisht edhe të papërsëritshme; por duke qenë kolektive, ato thërrasin në ndërgjegjen e një populli të tërë.“

Në ceremoninë e promovimit të albumit ditar “55 ditë”, në sheshin e RTV21, autorja ekspozoi dhe disa prej fotove – dëshmi të kohës, të publikuara në liber, një pjesë të të cilave publiku tiranas i njeh që prej ekspozitës fotografike ‘Fate lufte”, çelur 7 vjet më parë në Muzeun historik në Tiranë.

Të fundit