Flash News

KRYESORE

Analiza/“Priten tensione ballkanike para hyrjes së Maqedonisë në NATO. Rusia po i paraqet shqiptarët si shkaktarë”

Diplomati Shaban Murati deklaron se në Ballkan po përgatiten skenare destabilzuese nga Rusia dhe Turqia, për të penguar hyrjen e Maqedonisë në NATO. Në shkrimin e publikuar në ‘Gazetën Shqiptare’, Murati liston disa ngjarje të ndodhura së fundmi, si vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç, vendimi i presidentit Gjeorge Ivanov për të mos dekretuar ligjin për gjuhën shqipe apo deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, si “sinjale të mjaftueshme për të qartësuar diagramën e tensioneve të reja, që pritet të kenë seriale të reja më të forta, por edhe një strategji koordinimi dhe interesi për ta rikthyer Ballkanin Perëndimor tek krizat e vështira të viteve 2016-2017”.

“Çelësi i shpjegimit dhe i origjinës së stinës së re të tensioneve, ku sapo kemi hyrë, është sindroma malazeze, që don të thotë se ka një interes dhe planifikim të qartë për të krijuar trazira, siç ndodhi në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016 në Mal të Zi, dhe për të njëjtat qëllime, që patën atje, ku shërbimi sekret serb në bashkëpunim me shërbimin sekret rus organizuan një fushatë trazirash të brendshme, që kulmuan me përpjekjen për grusht shteti dhe për vrasjen e kryeministrit malazez gjatë zgjedhjeve të muajit tetor, me synimin për të ndaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Po përsëritet sindroma malazeze, e cila tani merr emrin sindroma maqedonase, që shkakton tensione. Shkaku është afrimi i fazave të hyrjes së Maqedonisë në NATO”, shkruan ndër të tjera Murati.

Sipas Muratit, elementi i ri në këtë situatë është se Moska po kërkon t’i paraqesë shqiptarët si shkaktarë të tensioneve në Ballkan, ndërsa çështjen e emrit të Maqedonisë e konsideron si strategjinë kryesore të rusëve.

“Element i ri është se MPJ e Rusisë po kërkon që t’i paraqesë Shqipërinë dhe shqiptarët si shkaktarë të kësaj vale të tensioneve në Ballkanin Perëndimor me idetë e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”. Është e kuptueshme se ndezja e një zjarri ndëretnik në Maqedoni do të ngrinte një pengesë të madhe dhe do të shtynte për një kohë të pacaktuar anëtarësimin e vendit në NATO, gjë që përbën strategjinë ruse të tensioneve në Maqedoni”, shprehet diplomati.

Sa i përket rolit të Serbisë, Murati shkruan: “Në këtë pozicion në trekëndësh, ku ndodhet lidhur me Kosovën, Serbia po përpiqet të shpëtojë duke provokuar tensione dhe konflikte në Kosovë dhe ajo e ka të lehtë këtë objektiv, sepse ajo mban detonatorët e konflikteve të ngrira edhe në Veriun e Kosovës, edhe në të ashtuquajturën “Serpska republika”. Vrasja e politikanit Ivanoviç, pavarësisht se kush do të dalë kokë turku si ekzekutor, i ka në Beograd përfituesit kryesorë. Nëpërmjet këtij tensioni të ri në Mitrovicë, Serbia dhe presidenti i saj kërkojnë të përfitojnë në dy drejtime: së pari, duke rivendikuar sovranitetin e Serbisë mbi Veriun nën pretekstin e mbrojtjes së serbëve atje. Së dyti, përfitojnë t’i bëjnë presion Prishtinës të heqë dorë nga kushti i njohjes dhe të xhirojnë në vend me “bisedimet teknike”, të cilat janë një vrimë në ujë në raportet strategjike midis dy shteteve.”

Diplomati shqiptar kërkon nga Tirana dhe faktori shqiptar në Ballkan që “të ruajë kohezionin e tij kombëtar dhe euroatlantik, për të qenë vazhdimisht syçelët për të parandaluar çdo përpjekje të sponsorizuar për rrëshqitje proruse dhe proserbe. Roli rajonal dhe interesi kombëtar i faktorit shqiptar është që të ruajë fort ekuilibrat gjeopolitikë dhe strategjikë në favor të atlantizmit dhe të integrimit euroatlantik”.

Të fundit