Flash News

KRYESORE

Arkitekti Velo kundër memorialit: Kujtesë e 500 viteve robëri

Arkitekti Velo kundër memorialit: Kujtesë e 500 viteve robëri

Për arkitektin dhe piktorin Maks Velo, vendosja e memorialit për të rënët e grushtit të shtetit në Turqi nuk është veçse një kujtesë për 500 vitet e robërisë së Shqipërisë ndaj osmanëve, pasojat e së cilës, sipas tij po i vuajmë ende.

Sipas tij, nuk ka përse shteti shqiptar të tregojë ndjeshmëri karshi një ngjarjeje “të dyshimtë”, përpos faktit që grushte shteti ndodhin çdo javë në botë, çka do të thoshte të ngrinim për çdonjërin memorialë nga Liqeni. Sa i takon mungesës së një përkujtese për viktimat e komunizmit, Velo thotë se ai vetë ka realizuar një skulpturë për nder të tyre, por as bashkia dhe askush tjetër nuk është interesuar për të.

“Sigurisht që nuk duhej ngritur, është pa kuptim, pa asnjë logjikë, fare pa dinjitet. Një vasalitet që na poshtëron. Ajo që duhej bërë është që Parlamenti të aprovonte GENOCIDIN TURK KUNDËR ARMENËVE, (në Luftën e Parë Botërore), që e kanë aprovuar parlamentet e Francës, Gjermanisë etj..”, deklaroi ai në një intervistë për gazetën Panorama.

“Na bezdis sepse na kujton 500 vjet robëri, krime e vrasje për të shtypur popullin shqiptar, moslejimin e mësimit të gjuhës shqipe. Shqipëria u bë vendi më i prapambetur i Ballkanit dhe këto pasoja nuk po i kalojmë akoma. Osmanët na mësuan të mos punojmë, të mos duam Europën e krishterë. Pasojat e kësaj zezone po i shohim sot me këtë korrupsion, me këtë krim, me këtë vetëposhtërim”, shtoi Velo.

Memoriali u vendos më 15 korrik 2019 nga ambasada turke në shenjë përkujtimi ndaj viktimave të grushtit të shtetit të ndodhur në Turqi tri vite më parë. Autoritetet shqiptare ia janë shmangur përgjegjësive duke ia hedhur ‘topin’ njëra tjetrës.

Të fundit