Basha duhet të imitojë Berishën, jo Trumpin

Alfred Lela

Ka ndodhur që i kam takuar izraelitët e firmës konsulente që ka pajtuar Basha për t’i ndërtuar imazhin publik në vijim. Duhet thënë se, ajo që bën kryetari i PD është rrugë normale që ndjekin të gjithë politikanët profesionistë në botë, siç edhe të tria partitë kryesore në Shqipëri. Politikës dhe biznesit të nivelit të lartë i nevojitet konsulenca në komunikim publik dhe kjo qasje tashmë bën pjesë në doing business.

Mbaj mend t’u kem thënë se, konsulta e komunikimit publik ka shumë variabla por, në finale, një gjë duhet patur parasysh: të bërit politikë mund të jetë art global, por antropologjia është lokale. Më shkoqur: pasi ta marrin vesh se cili është Basha duhet të kuptojnë se kush janë shqiptarët (publiku i tij). Para tekstit të pr-it duhet patur parasysh konteksti, pra rrethanat dhe vetëdija lokale. Ajo që funksionon në Amerikë apo Izrael, nuk mund të bëjë dritë edhe në Shqipëri, duke qenë se kombet kanë zhvillime krejt të ndryshme shoqërore, historike dhe politike.

MAGA për shembull, (Make America Great Again) funksionon në Amerikë, sepse ShBA-të janë një vend i madh, apo ka qenë i tillë. MAGA tjetër (Make Albania Great Again) është vetëm një përpjekje qesharake për përputhje. Që nga vaji i Vaso Pashë Shkodranit ‘o moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush të ka qitë me krye në hi!”, Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë vend i madh dhe as i shkëlqyr. Kjo ishte përpjekja e kohës së çadrës kur z. Basha konsultohej nga ‘këshilltarë mizerabël’. Sipas Doktor Berishës.

Një fletë nga libri i Trumpit duket se ishte ‘grisur’ edhe në spotin më të ri që Basha shpërndau sot në faqen zyrare në Facebook. Slogani apo fraza ‘shqiptarët të parët’ është përkthim i ‘Amerika e para’ (America first) e fushatës së kandidatit presidencial Trump në zgjedhjet e vitit 2016.

Izraelitët, por edhe ndihmësit e tyre lokalë në Tiranë që punojnë me ta, duhet të kuptojnë atë pakogjë aq thelbësore: Nuk jemi në vitin 2005, dhe Lulzim Basha nuk është politikani i ri i asokohe. Basha nuk duhet shpikur dhe aq më pak rishpikur. Publiku nuk do ta kapërdijë dot as njërën dhe as tjetrën. Kështuqë pr-i, ndoshta, do duhej përqendruar te Lulzim Basha ashtu siç është dhe ashtu siç perceptohet, duke punuar me dy mitologji të kundërta. Mitologjinë negative dhe pozitive të Bashës. Me qëllim përmbysjen e njërës dhe theksimin e tjetrës. Çdo përpjekje për të marrë Bashën për dore e për të çuar mbrapsht te abc-ja e komunikimit politik është një foshnjëri profesionale, apo një punë e bërë sa për të marrë honorarin e shërbimit.

Spoti me konsumimin e kafesë në një bar nuk është ide e keqe në vetvete, por ndërtimi i imazhit në një vend të vogël si Shqipëria, ‘ku të gjithë njihemi’, bëhet mbi një gjë reale dhe jo mbi një artific publicitar, si psh në një vend 400 milionësh si Amerika. Basha duhej të ishte parë të paktën 6 muajt e fundit duke e marrë kafenë te një bar rrugës për në zyrë, dhe mbi këtë ‘imazh të ri’ të tij të ndërtohej një spot. Basha nuk mund të ‘trafikohet’ si një burrë i së ‘përditshmes së kryeqytetit’ kur përditë ai shihet vetëm në TV dhe asnjëherë në rrugë.

Sa kohë dy imazhet, ai real dhe ai i spotit ‘kërcasin’, të bësh ‘publicitet’ me ‘përunjësinë’ është tallje, si me personazhin e reklamës ashtu dhe me publikun.

Basha është një burrë konservator, kreu i një partie konservatore dhe ka shumë shenja të konservatorizmit në tipologji. Në këtë plan atij i duhet të imitojë Berishën, paraardhësin dhe mentorin e tij. Berisha e ndërtoi të gjithë ‘alter egon’ publiko-politike mbi profilin personal. Qeverisja e fillimit (1992-1996) e nxori Presidentin e parë paskomunist si një njeri të pakorruptuar në perceptimin publik. Në 2005 (me duar të pastra!) ky ishte fondamenti i fushatës së rikthimit në pushtet (duke lexuar edhe kontekstin e një qeverie socialiste të zhytur në korrupsion). Një burrë tradicional, i lidhur fort me gruan dhe familjen, me një jetë spartane dhe orë të gjata në zyrë, ishte kolona tjetër ku mbahej profili publik i Berishës që takohej pikë më pikë me realitetin.

Megjithëse Berisha dhe e djathta nuk mundën kurrë të ishin spektakolarë dhe përmbysës në komunikim publik, ish-kryeministri pati instinktin e fortë politik dhe leximet e shumta për të kuptuar se ai nuk duhej rishpikur, por përforcuar apo përqendruar.

Përpjekja për të rishpikur pasardhësin e tij dhe për të shitur një Bashë ‘të bërë’, do të jetë e pasuksesshme dhe dëmtuese për imazhin e kryetarit të PD. Vetëm Basha ashtu siç është, duke i përforcuar mitet pozitive dhe duke i zbehur ato negative është rruga për te një ndërtesë imazhi që mban dhe reflekton.