Bota ndihmon Shqipërinë, Patozi: Edhe solidariteti mes popujve qenka po aq i paparashikueshëm sa tërmetet

Astrit Patozi i Bindjes Demokratike e ka cilësuar solidaritetin e treguar dje në Konferencën e Donatorëve aq të paparashikueshëm sa vetë tërmetet.

Sipas tij, dje ishte një ditë e bekuar për shqiptarët, për të kuptuar se ëndrra e tyre për Europën shkon përtej sloganeve të stërpërdorura politike për integrimin.

“Dhe se vetë ai proces nuk ka parasysh një vizë më pak apo më shumë në pasaportat tona. Por mbi të gjitha për t’u bindur se anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete dhe kurrsesi stacioni i fundit në rrugëtimin politik të shqiptarëve përkrah popujve të tjerë.
Mirënjohje për çdo cent të bujarisë së çdo vendi, që vendosi të ndajë “kafshatën” e vet me Shqipërinë e traumatizuar dhe kërrusur nga tragjedia e tërmetit rrënues të 26 nëntorit. Më shumë se vlera e pabesueshme e ndihmës së mbledhur në Konferencën e Donatorëve, plotësisht e mjaftueshme për rindërtimin e plotë, ka rëndësi shprehja e shkëlqyer e solidaritetit ndërkombëtar për fatkeqësinë tonë!
Gjithçka ishte fantastike! Falë miqve jo vetëm europianë të Shqipërisë, që u përgjigjën sot në Bruksel, ka realisht kuptim deviza e huazuar nga himni i klubit të Liverpulit. Vetëm sot të dëmtuarit nga tërmeti mund të marrin frymë të lehtësuar. Ata “nuk do të jenë asnjëherë vetëm”, sepse Shqipërinë miqtë nuk e lanë vetëm të vuante hallin e saj.
Sepse në rast se kjo nuk do të ndodhte, fatura e madhe e tërmetit do të ishte një kosto e papërballueshme, që do t’i mbivihej pamëshirshëm mbi shpinë dështimeve të qeverisë. Natyrisht, në dëm të atyre që u prekën nga tërmeti, në radhë të parë, dhe tërthorazi pastaj të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Dhe këtë nuk mund ta dinte as edhe europianisti më i thekur në Shqipëri dhe jashtë saj. Sepse shfaqje të tilla pozitiviteti janë po aq të paparashikueshme sa edhe vetë tërmetet.
Sot është një ditë kur duhet të anashkalohen të gjitha të këqijat, edhe sepse e ka brenda përgjigjen e merituar për “sovranistët” e lodhur të Tiranës, të cilët për interesat meskine dhe llogaritë e tyre të prishura e vënë herë pas here në dyshim raportin tonë me partnerët perëndimorë. Do të mjaftonte ajo që ndodhi sot në Bruksel për t’i refuzuar dhe mëshiruar përgjithmonë ata.
Dhe në fund fare, qeveria do të bënte mirë që të na i kursente krekosjet dhe mburrjet për një meritë që nuk është e saj. Ajo duhet të përveshë mëngët kokëulur dhe të nisë pa humbur kohë rindërtimin, duke shmangur standartet dhe veset e veta famëkeqe me fondet publike, por mbi ta gjitha, duke u fokusuar tek transparenca. Sepse praktikisht është i vetmi kërcënim për ta shkatërruar apo prishur këtë mrekulli, që prodhoi sot Brukseli për Shqipërinë”, shkruan Patozi.