Flash News

E-TJERA

Helmimi masiv në kopshtin e Gramshit, Prokuroria e Elbasanit nis hetimet

Helmimi masiv në kopshtin e Gramshit, Prokuroria e Elbasanit nis hetimet

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për helmimin masiv të mbi 70 fëmijëve në Kopshtin Nr. 1 në qytetin e Gramshit. Pas sinjalizimeve të para, autoritetet kanë sekuestruar kartelat klinike të 6 fëmijëve të shtruar në spital, procesverbalet e kontrollit dhe furnizimit me ushqime, si dhe kanë marrë mostra nga produktet ushqimore për analiza laboratorike.


Burime zyrtare bëjnë me dije se janë bllokuar edhe ushqimet e mbetura në kuzhinën e kopshtit. Prindërit kanë raportuar se simptomat e para janë shfaqur që të premten, por vetëm këtë të hënë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të mishit të pulës, vezëve dhe produkteve të qumështit për ekzaminime.

Një prind ka deklaruar për mediat se ka dy vajza që frekuentojnë kopshtin, dhe se nga drejtuesit e institucionit janë njoftuar të tërheqin fëmijët pasi ishte konfirmuar një rast me Salmonelë. Ai shton se të hënën do të organizohet një protestë përpara institucionit në shenjë reagimi ndaj neglizhencës së autoriteteve.

Në qendër të hetimeve ndodhet kompania “Nelsa shpk”, e cila ka një kontratë me kopshtin për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimeve me katering. Kjo kompani është kontrolluar nga AKU në vitin 2023 dhe është konstatuar me shkelje të rënda higjieno-sanitare, por ka vijuar aktivitetin pa ndërprerje. Më problematike akoma është mungesa e frigoriferëve funksionalë në kuzhinën e kopshtit, çka ka rritur dyshimet për ruajtjen e papërshtatshme të ushqimeve.

Të fundit