Flash News

E-TJERA

Qytetarët, pak përfitime nga buxheti i madh

Qytetarët, pak përfitime nga buxheti i madh

Shpenzimet buxhetore thuajse janë dyfishuar nga 2014-2025, por përfitimet për shtresat në nevojë nuk janë rritur me këto ritme. Totali i shpenzimeve publike për vitin 2025 është planifikuar 822.7 miliardë lekë, 87% më i lartë se më 2014, teksa pensioni mesatar në qytet është vetëm 27% më i lartë se në vitin 2014 (pa llogaritur inflacionin). Të gjitha përfitimet për pagat e administratës dhe fondet e tjera për shtresat në nevojë janë rritur më pak se totali i buxhetit. Buxheti 2025 vijon të mbështesë asetet fizike me investime kapitale që kapin 20% të buxhetit total, teksa pak a shumë në të njëjtat nivele janë pagesat për pagat e administratës dhe subvencioni i skemës së pensioneve. Në anën tjetër, shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë po rriten me ritme më të ulëta se shpenzimet e përgjithshme. Ekspertët këshillojnë më shumë investime në kapitalin njerëzor

Kapaciteti financiar i qeverisë në buxhetin e shtetit është rritur konsiderueshëm në dekadën e fundit, por përfitimet nuk po shpërndahen në mënyrë të drejtë me qytetarët për shërbime më të mira arsimore, shëndetësore dhe të ardhura për shtresat në nevojë.

Vitin që vjen, shpenzimet buxhetore planifikohen 823 miliardë lekë (8,2 mld euro), vlerë kjo 87% më e lartë se në vitin 2014 kur kapaciteti për të shpenzuar ishte 438 miliardë lekë (3,5 mld euro) me kursin e atëhershëm të këmbimit.

Të përllogaritura në Euro, buxheti publik u rrit më shumë se dy herë, por në anën tjetër sektorët e arsimit e të shëndetësisë dhe skema e pensioneve po përfitojnë gjithnjë e më pak nga rritja e të ardhurave.

Vitin që vjen, buxheti i Ministrisë së Arsimit është projektuar 62 miliardë lekë, shumë kjo sa 8.2% e të ardhurave buxhetore të 2025-s. Vitin që kaloi, shpenzimet për arsimin ishin sa 9.7% e të ardhurave buxhetore.

Shpenzimet e arsimit, në raport me të ardhurat në buxhet, janë në trend rënës që nga viti 2019, kur financimet në këtë zë ishin sa 11.4% e të ardhurave buxhetore.

Ecuri të ngjashme kanë edhe shpenzimet për shëndetësinë. Në vitin 2025, shpenzimet totale nga buxheti do të rriten me 6.7% në krahasim me këtë vit, ndërsa shpenzimet për shëndetësinë, me 3.6%.

Për disa funksione të tjera, fondet u shtuan dy herë më shumë se shpenzimet e përgjithshme. P.sh., buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës është projektuar të jetë 15% më i lartë në vitin 2025, në krahasim me vitin 2024, teksa totali i shpenzimeve buxhetore rritet me 6.7% më 2025.

Buxheti i shtetit, përveçse është rritur në vlerë, po lehtësohet nga borxhi publik dhe subvencioni i skemës së pensioneve. 2024-a ishte viti i tretë radhazi kur borxhi publik, përveçse ka pësuar ulje në raport me PBB-së, shënoi rënie edhe në vlerë.

Subvencioni për skemën publike është gjithashtu në rënie, si në vlerë, edhe në raport me PBB-në më 2025, në raport me 6 vite më parë.

Menaxhimi i financave publike prej vitesh vuan nga një shpërndarje jo e drejtë e burimeve. Teksa Prodhimi i Brendshëm Bruto dhe buxheti i shtetit pothuajse janë dyfishuar në dekadën e fundit, Shqipëria ka aktualisht 42% të popullsisë së saj në rrezik të varfërisë, niveli më i lartë në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.

Gjithashtu, organizatat ndërkombëtare e rendisin vendin tonë në krye të listës me nivelet alarmante të emigracionit, sidomos te moshat e reja dhe grupet e shkolluara.

Një anketë e “Monitor”, që u zhvillua këtë vjeshtë me 1044 persona (94% me arsim të lartë dhe doktoratura) gjeti nivele të larta të emigracionit potencial të atyre që jetojnë në Shqipëri, pikërisht nga mungesa e shërbimeve cilësore në arsim dhe shëndetësi.

Ekspertët e ekonomisë mendojnë se, mendësia në buxhetimin e fondeve nuk po ndryshon, edhe pse rrethanat e kërkojnë. Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, pohon se edhe buxheti 2025 është i orientuar te kapitali fizik se sa tek ai njerëzor. Sipas z. Xhepa, pothuajse të gjithë pensionistët kanë të ardhura më të ulëta mujore se kufiri i rrezikut për të qenë i varfër, 226 mijë lekë në muaj për person (INSTAT 2022).

Pano Soko, ekspert me përvojë me programim e buxhetit, sheh si probleme kryesore për vitin 2025 fondet e ulëta për rimbursimin e medikamenteve, që mbeten në vlera pothuajse të njëjta për vite me radhë dhe fondin për indeksimin e pensioneve, i cili është i pamjaftueshëm për të përmirësuar gjendjen financiare të pensionistëve.

Në terma makroekonomikë, buxheti i vitit 2025 mbetet i qëndrueshëm si në drejtim të shpenzimeve dhe borxhit, teksa pagat dhe pensionet pritet vetëm të indeksohen me inflacionin, rreth 2%.

Shpenzimet, asetet në fokus, jo njerëzit

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2025 është planifikuar 822.7 miliardë lekë, ose 31.4% e PBB-së. Në këtë shumë, 15.5% shkojnë për personelin, teksa rreth 20% e të gjitha fondeve buxhetore të programuara për t’u alokuar vitin që vjen shkon për investime kapitale.

Subvencioni i skemës së pensioneve vitin e ardhshëm është rreth 46 miliardë lekë, ose 5,5% e shpenzimeve totale nga rreth 12% që zinte ky zë në vitin 2014.

Pagesat për pensionet dhe personelin janë në nivele të ngjashme me shpenzimet kapitale, të cilat po qëndrojnë në nivele më të larta se mesatarja historike, me rreth 1.6 miliardë euro vitin që vjen, nga më shumë se 1.5 miliardë euro që janë parashikuar këtë vit.

Me gjithë investimet e mëdha në infrastrukturën fizike, kthimi mbrapsht i investimit duket se nuk ka rezultuar shumë efikas, teksa qytetarët shqiptarë kanë çmimet më të larta për naftën në rang global dhe tarifat në rrugë janë nga më të shtrenjtat në Europë.

Përveç investimeve nga buxheti, vitin që vjen, qeveria e Shqipërisë do të angazhojë edhe tre koncesione të reja PPP në Korridorin Adriatiko-Jonian, të cilat do të ndërtohen nga privati kundrejt pagesës direkte në toll.

Më 2025, numri i rrugëve për të cilat do të paguhet tarifë përdorimi do të arrijë në tre (Milot-Rrëshen, Thumanë-Kashar, Tuneli i Vlorës) dhe pas pak vitesh, do të jenë së paku në 6. Të dhënat krahasuese tregojnë se Shqipëria ka tarifat më të larta të pagesës në rrugë.

Përveç kësaj, Shqipëria hyn në vendet me çmimet më të larta të karburanteve në rang global. Të dhënat e Global Petrol Prices tregojnë se çmimi i naftës në Shqipëri është 60% më shumë se mesatarja globale.

Në anën tjetër, pensioni mesatar në qytet në vitin 2023 ishte 183 euro dhe në fshat, 110 euro, shumë herë më poshtë se niveli relativ i varfërisë 6.7 USD në ditë (201 USD në muaj) dhe niveli më i ulët në Europë.

Sipas Ministrisë së Financave, shpenzimet e personelit për vitin 2025 reflektojnë koston aktuale të administratës publike, si dhe koston e plotë të politikës së rritjes së pagave (+40 miliardë lekë) të nisur në prill të vitit 2023 dhe të finalizuar në korrik të vitit 2024.

Shpenzimet totale për pagat në administratën publike në nivel qendror për 86,038 punonjës planifikohen në masën 127.6 miliardë lekë, 4.9% e PBB-së, ose rreth 17% më shumë se më 2024.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 68.5 miliardë lekë, ose 2.6% të PBB-së, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.8 miliardë lekësh për të administruar rreziqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj., me rritje vjetore 6.6%.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2025 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 71.3 miliardë lekë, ose rreth 2.7% e PBB-së, me rritje vjetore 3.8%.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025 janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë 3.43% të PBB-së nga 2.9% në vitin 2024, ose nga 2.3% në vitin 2015.

Transferta e pakushtëzuar për vitin 2025, krahasuar me vitin 2024, është 1.8 miliardë lekë më shumë, ose rreth 7.6% më e lartë, dhe krahasuar me vitin 2015 (viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale), është 13.9 miliardë lekë më shumë, ose mbi dy herë më e lartë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin që vjen, do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliardë lekësh transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, 200 milionë lekë grant performance, i cili përdoret për herë të parë si mekanizëm financiar në qeverisjen vendore, si dhe 3.5 miliardë lekë transfertë sektoriale për rritjen e pagave.

Në total, në vitin 2025, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 43.1 miliardë lekë, nga 36.5 miliardë lekë në 2024, me rritje prej 6.6 miliardë lekësh, ose 18%.

Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 263.8 miliardë lekësh.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë, ose 7.3% e PBB-së, të cilat në masën 76% mbulohen nga të ardhurat e kontributeve dhe buxheti shton edhe 45 miliardë lekë nga taksat e tjera.

Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 1.6 miliardë lekësh dhe 3.75 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët.

Ndërsa shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2025, janë parashikuar në masën 63.1 miliardë lekë, ose 2.4% e PBB-së dhe rreth 5% e tyre shkojnë për financimin e kontratave koncesionare.

Shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të pronarëve parashikohen në total në masën 3 miliardë lekë, ose 0.1% e PBB-së.

Për ekspertin Selami Xhepa, shpenzimet buxhetore në vitin 2025 nuk sjellin asnjë risi në drejtim të përmirësimit të kushteve për shtresat në nevojë, sidomos për pensionistët dhe personat me ndihmë ekonomike.

Pano Soko sheh si një problem të madh në buxhetin 2025 fondin e ulët për rimbursimin e medikamenteve, që ka mbetur në vendnumëro për shumë vite me radhë. 12 miliardë lekët e parashikuara janë në të njëjtin nivel me shifrat e para 4-5 viteve më parë.

500 milionë euro taksa dhe tatime më shumë

Pavarësisht se buxheti i vitit 2025 nuk do të shoqërohet me paketë fiskale, të ardhurat nga tatimet dhe doganat dhe nga kontributet parashikohen të jenë 50.4 miliardë lekë më të larta (500 mln euro) se ato të vitit aktual.

Të ardhurat totale vitin që vjen do të arrijnë në nivelin e 755 miliardë lekëve, 5.6% më shumë se ky vit, por për shkak se ndihmat e huaja parashikohen në nivele më të ulëta nga shuarja e fondeve për tërmetin, të ardhurat tatimore pritet të jenë 8.2% më të larta se ky vit. Këto ritme janë më të ulëta se mesatarja e 9-mujorit 2024, kur arkëtimet buxhetore u rritën me mbi 10%.

Eksperti Pano Soko thotë se në vitin 2025, kur do të kemi një aksion antiinformalitet dhe rritje ekonomike gati 4%, rritja e të ardhurave në kontributet e sigurimeve shoqërore do të jetë vetëm 89 milionë euro, kur teorikisht rritja e fondit do të duhet të ishte minimalisht 140 milionë euro, vetëm nga efekti i rritjes ekonomike dhe rritjes së pagave në disa sektorë publikë. Në rast të një aksioni të suksesshëm, kjo shifër do të ishte 160, 170 milionë euro.

Rritjen më të madhe pritet ta kenë të ardhurat nga TVSH-ja, të cilat parashikohet të arrijnë në rreth 236 miliardë lekë, ose 22,235 milionë lekë (10.4%) më shumë se pritshmëria e vitit 2024.

Ministria e Financave, në relacionin shoqërues të buxhetit, argumenton se burimet e rritjes së TVSH-së janë rritja ekonomike shtesë dhe indeksi i çmimeve dhe rritja e importeve.

Përmirësimi i administrimit të TVSH-së nga sistemi i fiskalizimit dhe konsolidimi i faturimit elektronik, duke përfshirë rritjen e të ardhurave nga sektorë si turizmi, akomodimi, ndërtimi dhe gjithë sektorët e tjerë ekonomikë shihen si burime për rritjen e TVSH-së.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin Korporativ” janë programuar me rritje 6 miliardë lekë, ose 0.1% më shumë krahasuar me pritshmërinë e vitit 2024.

Kjo rritje, sipas Ministrisë së Financave, do të gjenerohet nga miradministrimi dhe forcimi i kontrollit të deklaratave, bazuar në kriteret e riskut.

Të ardhurat nga “Akciza” programohen 66,984 milionë lekë, + 2.6 miliardë lekë, ose 4.1% më shumë, se i pritshmi i vitit 2024.

Sipas Financave, faktorët kryesorë në parashikimin e të ardhurave nga akciza lidhen me rritjen e të ardhurave nga akciza që gjeneron rritja ekonomike shtesë; rritja e sasive të importit dhe konsumi i mallrave si karburante, cigare, pije alkoolike, verë, birrë etj., dhe rritja e nivelit të akcizave për shkak të zbatimit të kalendarit të rritjes së niveleve të akcizës për duhanet.

Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” parashikohen 70,040 milionë lekë, me rritje prej 6 miliardë lekësh, ose 8.7% më shumë se në 2024-n, të cilat do të gjenerohen nga rritja ekonomike, efektet e reformës së pagave në sektorin shtetëror që filloi më 1 korrik 2024, rritja e të cilave do të sjellë të ardhura shtesë nga tatimi mbi pagat për 7 muajt e parë të vitit 2025.

Kjo do të ndikohet nga rritja e numrit të punëmarrësve dhe pagës mesatare në sektorin privat, i cili për shkak të lëvizjeve është i detyruar të ndjekë ritmin e rritjes së pagave në sektorin shtetëror, argumenton Ministria e Financave.

Të ardhurat nga “Taksa Doganore” në vitin 2025 programohen 11 miliardë lekë, me rritje 1.75 miliardë lekë, ose 18.8% më shumë se i pritshmi për vitin 2024.

Në programimin e të ardhurave janë marrë në konsideratë efektet e rritjes ekonomike dhe indeksimi, si dhe efektet e rritjes së importeve të tatueshme nga vendet jashtë BE-së.

Të ardhurat gjithsej nga “Kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore” janë programuar të jenë 168,989 milionë lekë, në rritje krahasuar me vitin 2024 prej 10.53 miliardë lekë, ose 6.6%.

Rritja e programuar e të ardhurave mbështet rritjen ekonomike të projektuar me efekt në punësim dhe kontribute; efekteve nga rritja e pagave dhe kontributeve si rezultat i zbatimit të reformës së pagave në administratë dhe forcimit të kontrollit të punës në të zezë, nivelit të pagës të deklaruar dhe deviacionit të saj nga paga reale që përfitohet.

Për ekspertin Pano Soko, parashikimet për të ardhurat nga sigurimet shoqërore nuk shkojnë në raport të drejtë me premtimet e Kryeministrit për të luftuar evazionin në këtë drejtim.

“Kryeministri është këto ditë në një aktivitet intensiv me pensionistët, pikërisht për çështjen e pensioneve, ku premton për një ndryshim të qenësishëm të situatës së pensioneve, ndërkohë që kur vjen puna te faktet, ato tregojnë që realiteti vitin tjetër nuk ka për të ndryshuar, të paktën jo për mirë.

Fondi 1.6 miliardë lekë që është parashikuar për politikat indeksimit të pensioneve nuk indekson dot as nivelin e inflacionit, jo më të flitet për rritje substanciale”.

Lehtësohet barra e borxhit

Borxhi publik këtë vit, për të tretin vit radhazi, erdhi në ulje në vlerë, ndërsa në raport me PBB-në arriti në nivelin më të ulët të 16 viteve të fundit.

Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2024, stoku i borxhit publik pritet të arrijë në 56.3% të PBB-së, niveli më i ulët në të paktën 16 vitet e fundit (2008).

Përveçse në përqindje të PBB-së, stoku i borxhit në 9-mujorin e vitit 2024 ka pësuar rënie edhe në vlerë për të tretin vit radhazi. Në fund të shtatorit 2024, stoku arriti në 1,34 trilionë lekë më ose 13 miliardë lekë (130 mln euro) më pak se në fund të vitit 2023.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se rënia e borxhit është ndihmuar nga rritja e të ardhurave me ritme më të larta se e shpenzimeve buxhetore.

Kjo situatë ka ndihmuar në uljen e huamarrjes së re dhe nga ana tjetër, interesat e ulëta para luftës në Ukrainë dhe stabilizimi i tyre tani, ka ndihmuar në lehtësimin e kostos së shlyerjes së principalit dhe interesave.

Lehtësimi i pagesave të borxhit çliron më shumë fonde për shërbime të tjera ndaj popullatës, të tilla si infrastrukturë, shërbime më të mira arsimore dhe shëndetësore dhe shumë mbrojtje sociale.

Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3% të PBB-së dhe të vijojë më tej në rreth 55.8% në vitin 2025. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0% në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5% në vitin 2031.

Treguesi i borxhit kishte ecuri të ngjashme edhe në vendet e tjera të rajonit. Zgjerimi i vazhdueshëm ekonomik mbështeti rritjen e të ardhurave buxhetore dhe bilanci fiskal u përmirësua pothuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në pjesën e parë të vitit.

Për tremujorin e parë të vitit 2024, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së u ul në shumicën e ekonomive të rajonit, krahasuar me fundin e vitit 2023, pjesërisht për shkak të rritjes së fortë nominale të PBB-së.

Ulja e barrës së borxhit ishte më e theksuar në Serbi ku treguesi arriti në 51.4% të PBB-së, ndërsa Shqipëria, me gjithë uljen vijon të jetë e dyta në rajon pas Malit të Zi, me nivelin më të lartë të borxhit në 56.7% të PBB-së.

Nga vendet e rajonit, Mali i Zi arriti të ulë më shumë borxhin publik në 43 pikë % të PBB-së, nga niveli 105% e PBB-së në vitin 2020, në 61.7% të PBB-së në tremujorin e parë 2024.

Qeveria shqiptare aktualisht rezulton të ketë mbi 700 milionë euro suficit, pra praktikisht është ulur mbi një pirg të madh cash-i, thotë Pano Soko.

Sipas tij, qeverisë i duhet të bëjë akrobaci fiskale në fund të vitit për të akomoduar gjithë këtë sasi parash që ajo posedon dhe ky është viti i tretë që hasemi me këtë fenomen.

“Pse marrim borxh kur ecuria fiskale e viteve të fundit tregon që tendenca e realizimit të buxhetit në fund të vitit na çon në situata mbilikuiditeti? Pra kur ne nuk arrijmë dot të shpenzojmë paratë që mbledhim nga taksat, përse po marrim borxh dhe po paguajmë interesa”, ngre pyetjen z. Soko./ Monitor

Të fundit