Flash News

E-TJERA

Sondazhi: Ndërtimi pa kriter, faktori që dëmton më shumë cilësinë e jetesës në Tiranë

Sondazhi: Ndërtimi pa kriter, faktori që dëmton më

Ndërtimi pa kriter dhe planifikim perceptohet nga publiku si faktori kryesor që dëmton cilësinë e jetesës në Tiranë.

Sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Monitor” në faqen e saj të internetit dhe rrjetet sociale, pyetjes “Çfarë e dëmton më shumë cilësinë e jetesës në Tiranë?” 41% e pjesëmarrësve iu përgjigjën me alternativën “ndërtimi pa kriter dhe planfikim”.

Faktori i dytë me më shumë ndikim negativ në cilësinë e jetesës në kryeqytet rezultoi “ndotja atmosferike dhe akustike”, me 21% të votave në sondazh. Vijon “mungesa e parqeve dhe hapësirave të përbashkëta”, me 19% të votave dhe “trafiku e mungesa e parkimeve”, me 18% të votave nga pjesëmarrësit në sondazh.

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u përball me një proces intensiv të emigrimit të brendshëm, që e zhvendosi një pjesë shumë të madhe të popullsisë në qytetet kryesor edhe sidomos në Tiranë. Megjithatë, është e qartë se zhvillimi urban i kryeqytetit në më shumë se tre dekada ka qenë kaotik dhe pa një planifikim të mirëfilltë.

Shumë shpesh, ndërtimi i objekteve të reja është bërë në dëm të hapësirave ekzistuese, madje nevoja për rrugë, hapësira të përbashkëta, parqe, lulishte, etj, nuk është përmbushur as në zonat e reja të banimit, që janë zhvilluar nga fillimi pas viteve ’90.

Në vitet e fundit, Tirana po përballet me një vrull të ri të ndërtimit, i nxitur nga rritja e fortë e kërkesës dhe çmimeve. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm në periudhën 2022-2023, në Tiranë janë dhënë leje të reja ndërtimi për një sipërfaqe prej më shumë se 3.2 milionë metra katrorë.

Por, rritja e ndërtimeve të larta ka tkurrur hapësirat e lira dhe korridoret e qarkullimit të ajrit.

Shumica e banorëve të Tiranës nuk kanë në lagjet e tyre të banimit hapësira të lira për çlodhje, rekaracion apo aktivitet sportive.

Ndërkohë, shtimi i banorëve është shoqëruar me rritje të numrit të automjeteve, trafik të rënduar, më shumë emetimeve të gazrave të dëmshëm dhe më shumë zhurma.

Matjet e kryera në vitet e fundit në Tiranë kanë treguar në mënyrë të përsëritur se ndotja e ajrit është disa herë më e lartyë se niveli mesatar i Bashkimit Europian dhe sipër limiteve të konsideruara të dëmshme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Për shembull, udhëzimet e OBSH thonë se përqendrimet mesatare vjetore të grimcave të dëmshme PM2.5 nuk duhet të kalojnë kufirin mesatar të 5 mikrogramëve për metër kub. Matjet e kryera në Tiranë kanë treguar se ky nivel është disa herë më i lartë, në varësi të zonave./ Monitor

Sondazhi: Ndërtimi pa kriter, faktori që dëmton më

Të fundit