Flash News

E-TJERA

E renditi të parën në Vlorë, kush është ish-drejtoresha e shkarkuar me urdhër të Ramës: Është rast unikal

E renditi të parën në Vlorë, kush është

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar emrat kryesues të listave të PS në 12 qarqet e vendit, pak orë para skadimit të afatit që partitë të dorëzojnë në KQZ listat e kandidatëve për zgjedhjet.

Shumica prej tyre ishin gra dhe figura jo të njohura për politikën.

Megjithatë, nëse ndalemi në Vlorë, emri që Rama prezantoi si kryesuesen e listës, praktikisht duke i siguruar një mandat të sigurt në Kuvendin e ardhshëm, nuk është një emër krejtësisht i panjohur.

Pranvera Resulaj, e cila më herët ka mbajtur postin si drejtoreshë e Tatimeve në Vlorë, në nëntor të 2018 u shkarkua me urdhër të Ramës .

Para këtij vendimi, ajo ishte cilësuar nga kryeministri si një ndër drejtueset më të dalluara në administratë në një takim në Vlorë kur tha: Është rast unikal, s’kam asnjë ankesë për të. Që vlonjatët të ngrenë dorë dhe të shkruajnë mbi tastierë fjalë të mira, kjo nuk ndodh”.

Pas fjalëve të mira për Pranvera Resulaj, kjo e fundit u shkarkua nga detyra për shkelje që nuk u bënë publike.

Po ashtu, Resulaj ka qenë në qendër të kritikave dhe akuzave të opozitës për pjesëmarrjen e saj në fushatën elektorale të vitit 2017, si një shkelje e hapur e ligjit, paralelisht kur drejtonte drejtorinë e Tatimeve në Vlorë.

Ndërkohë sot, Rama tha se emri i saj vjen në këtë pozicion për shkak të reputacionin që gëzon në komunitet.

“Ka qenë drejtore e Tatimeve në Vlorë, që gëzon reputacion si shërbëtore e biznesit, meriton respekt dhe përputhet njohja që kemi për të, është edhe kërkesa që vjen në mënyrë këmbëngulëse nga komuniteti”, tha Rama gjatë takimit të kandidaturave të para.

Të fundit