Flash News

OP-ED

Edi Rama, ose guximi për të parë Ponin te çdo Shqiponjë

Edi Rama, ose guximi për të parë Ponin te çdo

Alfred Lela

Estetikisht Edi Rama mund të ketë të drejtë. Shqiponja te Dogana, nuk shquhej për gjë përveç jubileut që përkujtonte: 100 vjetorit të Pavarësisë. Shpendi i flamurit, ngjitur mbi atë skenë me  rrethim pompoz, ngjante me një copë Shkupi që kishte fluturuar direkt nga ateljeja e çmendurisë së Gruevskit në këtë cep të Ilirisë. Shkaba kombëtare, nuk përsëritet si sakralitet në të gjitha dykrenoret që prodhohen e riprodhohen, në të gjitha sendet dhe vendet, nga dizajnet kineze në t-shirtet dhe flamujt e tregut çam te duart e kryqëzuara të Elisa Dushkut dhe Bebe Rexhës.

Jo dhe aq monumenti sa rrethimi 'neoklasik', në mes të një rrethimi tjetër, atij të makinave që nuk pranin kurrë, e kishin kthyer Shqiponjën vetëm në një pikë referimi. "Jam te Shqiponja, vij për 5 minuta".

Duke e pasë tejkaluar këtë pikë, duhet pyetur me forcë se, pse Kryeministri kryen aktin e shkuljes ceremoniale të Shqiponjës. Ajo mund të mos rrijë estetikisht, por kur thua këtë duhet të pranosh edhe tjetrën: në atë zgëq tiranas nuk ka asgjë që rri si duhet, apo është në vendin e duhur. 'Shqiponja' madje e funksionalizonte atë vend pa adresë duke e shndërruar simbolikisht në pikën hyrëse të Tiranës, kryqytetit të shqiptarëve. Shenja tjetër që bartte ishte përkujtimi i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

'Shqiponja' është, në fakt, vazhim i një dueli. Të ndodhur haptazi mes dy protagonistëve të atëhershëm politikë, Sali Berisha kryeministër dhe Edi Rama kryeministër në hije. Në vitin 2012, shefi i qeverisë i përqendroi festimet e 100 vjetorit në Tiranë, ndëra shefi i opozitës në Vlorë. Këtë qytet zgjodhi Rama si zonë të vetën elektorale, edhe pse Tirana do t'i rrinte më mirë ekuilibrit dhe repertorit të tij personal e politik. Shqiponja përfaqëson, në njëfarë mënyre, atë që Berisha i asokohe mendonte për Tiranën: kryeqyteti, jo vetëm i Shqipërisë së pas Pavarësisë, por edhe i shqiptarëve të të gjitha post-pavarësive. Asaj të Kosovës dhe asaj të pjesshmes që kishin arritur shqiptarët e Maqedonisë me Marrëveshjen së Ohrit.

Edi Rama i dalë nga hija dhe i shndërruar në kryeministër është duke luftuar atë betejë të nisur në 2013 dhe, në kokën e vet, po e 'fiton'. Sidoqë të jetë, duke bërë këtë gjest, ai është duke prishur një shenjë kujtimi të Shqipërisë së 100 vjetorit, por edhe duke simuluar një betejë të panevojshme. Kriza e ditës, si e qeverisë ashtu dhe opozitës, nuk është shkulja apo zhvendosja e 'Shqiponjës', por shpërngulja e qindra familjeve të cilat, nuk e hanë dot 'sorrën' e 'luftës për shqiponjën', ngaqë nuk kanë 'pulën e nevojës' (shtëpinë). Të vetmen gjë mbi shpirt, siç thotë një shprehje popullore.

Simulimi i 'luftës me shqiponjë' është po kaq joestetik sa edhe aryeja e cila jepet si shtysë për shkuljen e simbolit te rrethrrotullimi i Doganës. Po aq i panevojshëm sa zëvendësimi i një tjetër simboli, atij të dy gishtave, përkujtues të demonstrave për Liri-Demokraci në Kavajë.

'Drama' e Edi Ramës nuk është kuptimi që ai u jep simboleve dhe luftës politike nëpërmjet tyre, por keqkuptimi se simbolet janë prodhim bruto i estetikës. Ato janë prodhim neto i kohës së vet.

Të fundit