Flash News

OP-ED

'Forca e Ligjit' dhe 'Rilindja e Pornokracisë'

'Forca e Ligjit' dhe 'Rilindja e Pornokracisë'

Alfred Lela

Në fillim me termin. Pornokraci, nga gjermanishtja Pornokratie, rrjedhur prej greqishtes pornokratia (sundimi i prostitutave), ishte një tjetër emërtim për saeculum obscurum (epoka e errët) i përdorur së pari nga kardinali dhe historiani i Kishës, italiani Caesar Baronius në shekullin 16. Ky 'fatalitet' në terminologji lidhej me sundimin dhe historinë e Papatit përgjatë gjysmës së parë të shekullit 10, duke filluar nga instalimi në Vatikan i Serzhit III, në v. 904, dhe duke u zgjatur për 60 vjet, deri në vdekjen e Papa Gjonit XII, në vitin 964. Përgjatë kësaj periudhe Papati ndikohej fort nga familja e fuqishme dhe e korruptuar aristokrate Teofilkati dhe të afërmit.

Gjergjefi politik i Rilindjes u qëndis dje me një asosacion erotik. Nuk ishte e mundur që zulma e memeve të ndërkëmbyera në shkëmbime, private apo publike, në telefonët smart ose në rrjetet sociale, të mos përbëhej nga variacione të natyrës soft porn frymëzuar nga një konferencë e pazakontë shtypi e Policisë, inskenuar me gjasë nga kryeministri.

Shpallja e Ramës si ideator i kësaj daljeje publike bëhet e pashmangshme nëse shkel mbi gjurmët që ai vetë ka lënë në komunikimin publik. Kështuqë kjo nuk është një tjetër demarsh për të detraktuar Ramën, apo për ta lidhur gjithçka me të, se sa është përpjekje për ta kuptuar atë dhe natyrën e shtetit që kërkon të ndërtojë. Memet ndërkohë vazhdonin 'jetën e tyre', sërish me aktore porno të sajuara si police, që nga shkopi i gomës, uniforma, kapelja e pajime të tjera të ruajtësve të rendit.

Që një bjonde e hijshme, 'maskuar' me blu uniforme, asociohet menjëherë me erotiken, kjo mund të mos ketë të bëjë fare me z. Rama dhe (pu)shtetin e tij, por me natyrën, le të themi seksualo-vuajeriste të shoqërisë. Ky 'shfajësim' mund të vijë nëpërmjet logjikës se konferenca e shtypit, që hapi serinë e operacioneve të 'Forcës së ligjit' ka qenë një rastësi naive. Ky iluzion u zhbë, megjithatë, një ditë më pas, kur mediat pro-qeveritare e zbuluan identitetin e zonjushës duke i hequr syzet, zgjidhur bishtkalin e flokëve, zbuluar sytë e kaltër, çliruar siluetën nga e përzishmja e uniformës etj. Titujt ishin të zakonishmit 'Ja kush është policja seksi...", etj., por e jashtëzakonshmja qëndronte te fakti se punonjësja e shtetit objektifikohej, për herë të dytë, në sytë e publikut. Pasi vishej me uniformë policie, medemek duke e maskuar për qëllime të seriozitetit dhe sekretivitetit të një operacioni anti-krim, ajo zhvishej dhe identifikohej si the girl next door (goca e lagjes).

Kompletohej kështu trajektorja frojdiane të cilën kishte patur në mend 'skenaristi'. Një ditë ajo përmbushte rolin e polices misterioze dhe të seksualizuar, tjetrën serializohej sipas një sekuencialiteti filmik që e kap personazhin nga këndet e buta të përditshmërisë.

Se pse u përdor një element kitsch (vulgar) dhe bërtitës nga makina e propagandës së kryeministrit, për një operacion që do të duhej të ishte serioz dhe i heshtur, tregon për natyrën e qeverisjes e cila menaxhon përmes simulimit dhe manipulimit. Rrëfen gjithashtu se nisma nuk është serioze dhe asgjë më shumë se një pseudo-ngjarje që ka qëllim të mjegullojë apo davarisë perceptimin publik se kriminelët po lirohen si delet dhe, sado të fajësosh gjykatat, ka gjithandej fije që të çojnë te bashkëpunimi i institucioneve në varësi të qeverisë.

Çfarë e shpjegon tjetër spektakolarizimin paraprak, paralajmërimin'bëhuni gati, se po vijmë!'? Shtetet nuk 'u çojnë fjalë' kriminelëve. Ato afrohen pa zë sepse shteti, në kuptimin e vet thelbësor, është mekanizmi i heshtjes, diskrecionit dhe ftohtësisë.

Seksualizimi i shtetit nuk flet për gjë tjetër veçse epokën e re të pornokracisë ku e ka futur vendin Rilindja. Nëse terrori ishte fija e gjenezës dhe kohezionit e Partisë Komuniste (më pas të Punës), pasardhësja e saj Socialiste, nën prijësinë e Edi Ramës i ka gjetur vetes seksualen si mjet dhe qëllim të përbashkët.

Nuk ka asgjë për ne të tjerët në këtë paradigmë të re politike, siç nuk ka asgjë për Shqipërinë. E cila nuk udhëhiqet më nga një elitë, por nga një sekt.

Të fundit