Flash News

KRYESORE

Frika e ndikimit rus në zgjedhje, PS çon projekt-rezolutë në Kuvend: Ka ndërhyrje dashakeqe në debate publike 

Partia Socialiste ka dërguar sot në Kuvend një projekt –rezolutë për “Ndërhyrjet e Huaja në Proceset Elektorale dhe Dezinformimin në Proceset Demokratike Kombëtare”.

E firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, përmes kësaj projekt-rezolute synohet se ndërhyrjet e huaja në mënyrë të parregullt në proceset elektorale, dezinformimi dhe lajmet e rreme në proceset demokratike polarizojnë opinionin publik, nxisin akte të dhunshme dhe gjuhën e urrejtjes duke minuar demokracinë dhe zbehur besimin publik në proceset demokratike;

Po ashtu, është theksuar se ‘tentativa nga aktorë të huaj publikë dhe jo publikë për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut, solidaritetit dhe barazisë me mjete të ndërhyrjes keqdashëse janë pjesë e një trendi mbarë botëror’.

Në shkresë vijohet se ‘ndërhyrja e huaj mund të marrë forma të ndryshme përfshirë fushatat e dezinformimit në mediat sociale për të formësuar opinionin publik, sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike në lidhje me zgjedhjet, mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë financiare të aktorëve politikë; duhet të rritet ndërgjegjësimi për fushatat e dezinformimit të Rusisë, pasi ky i fundit përbën burimin kryesor nga i cili buron dezinformimi në rajon, Evropë e më gjerë;

aktorët shtetërorë dhe jo-shtetërorë nga vendet e treta, përpos Rusisë, janë të përfshirë në ndërhyrje dashakeqe në debate publike të vendit tonë;

shkalla e akteve të ndërhyrjeve dashakeqe kërkon koordinim të të gjitha institucioneve kombëtare në përgjigje të saj;

në vendet anëtare të BE-së, disa hetime kanë treguar që rregullat e rëndësishme elektorale janë shkelur ose anashkaluar, veçanërisht dispozitat ekzistuese për transparencën e financimit të fushatës, me pretendime për shpenzime politike nga organizata jo-fitimprurëse me burime të vendeve të treta, veçanërisht nga Rusia’.

Të fundit