Flash News

KRYESORE

Fuqizimi Kinë-Serbi në Ballkan bashkon Tiranën dhe Prishtinën për krijimin e zonës së lirë ekonomike; oferta e parë i bëhet Japonisë

Fuqizimi Kinë-Serbi në Ballkan bashkon Tiranën dhe

Duke iu përgjigjur pyetjes së Reuters për rritjen e influencës së Kinës në Ballkan, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, do të deklaronte se vendi ynë i mirëpret edhe investimet që mund të vijnë nga Japonia. Ndërkohë, duket se Tirana dhe Prishtina kanë përgatitur një strategji për t’u përballur me rritjen e bashkëpunimit të Kinës me Serbinë në rajon dhe aleati është gjetur pikërisht në lindjen e largët.

Ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli ka deklaruar gjatë një vizite në Tokoi se Shqipëria dhe Kosova i ofrojnë Japonisë një zonë të lirë ekonomike në Ballkan. Pacolli përmendi gjatë takimit me  me ministrin japonez të Ekonomisë, Hiroshige Sego, pozicionin strategjik të Shqipërisë në rajon dhe forcën punëtore të Kosovës si mundësi të mira që mund të përdoren nga kompanitë japoneze që synojnë tregun e Bashkmit Europian.

“Ne, së bashku me Shqipërinë, me të cilën praktikisht nuk kemi pengesa kufitare, ofrojmë për investitorët japonezë, një mjedis të shkëlqyer për të bërë biznes. Shqipëria ka porte të thella detare dhe me të na lidh një infrastrukturë ekzistuese shumë e mirë. Së bashku ne kemi një pozicion strategjik në mes të Europës dhe ju mund të eksportoni produktet tuaja pa taksa drejt vendeve të Bashkimit Europian. Kombinimi i teknologjisë dhe markave japoneze me krahun kosovar të punës shumë të përgatitur garantojnë sukses. Ne, jemi të gatshëm për t’ju ofruar një Zonë të Lirë Ekonomike për investitorët nga vendi Juaj”, ka deklaruar Pacolli.

“Kosova e do praninë e ndërmarrësve japonezë në shumë fusha si energjia, infrastruktura, teknologjitë e informacionit, bujqësia, sepse nga eksperienca ime mund të them se tek ata gjen sinqeritet, ndershmëri, korrektësi”, vijoi ai, në takimin e tij të parë në kryeqytetin japonez.

Nga ana e tij, ministri japonez e uroi Pacollin për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe shprehu besimin se vizita e tij në Japoni, e fokusuar në marrëdhëniet me biznesin e këtij vendi të fuqishëm do të jetë e frytshme.

“Ne, e dimë se ju keni bashkëpunuar me shumë sukses me një kompani të vendit tim, produktet e të cilës janë të destinuara për eksport dhe besojmë shumë se shembullin e saj do ta ndjekin dhe kompani të tjera”, i tha ai.

Ky qëndrim i ministrit Pacolli për një zonë të lirë ekonomike Shqipëri-Kosovë vjen vetëm dy ditë pas deklaratës së Ambasadorit kosovar në Tiranë se nuk është ende koha për të hequr doganat midis dy vendeve. Ndërkohë, ministri shqiptar i Diasporës, Pandeli Majko dhe kryeministri Edi Rama kanë bërë përgjegjëse autoritetet kosovare për pengimin e kësaj nisme.

Sa i përket rolit të Japonisë në rajonin tonë, ky shtet vendosi pak muaj më parë që të hapë Ambasadën në Tiranë dhe të emërojë në Ministrinë e Jashtme një ambasador për Ballkanin Perëndimor.

Të fundit