Flash News

KRYESORE

Intervista/ Visar Zhiti: Media është pasqyrë e tranzicionit shqiptar

 -Sikur të hidhnit një vështrim retrospektiv në këto tridhjetë vjet të tranzicionit postkomunist, cilat do të renditnit si arritjet dhe dështimet më të qenësishme të medias shqiptare? Lirinë e plotë të fjalës për dhënien e çdo lloj informacioni, të rëndësishëm apo të parëndësishëm dhe shpërdorimin e plotë të informacionit bashkë me fjalën, duke e bërë nga të rëndësishëm në të parëndësishëm.  Vështrova kështu, skajshmërisht, si vetë media jonë, por befas më erdhi në mendje thënia latine: “In medium stat virtus”, (Në mes qëndron viryti), mbase nga asosacioni i ideve: medium – media - mesi dhe gjykoj se mes skajeve është një arritje e madhe: media në vetvete, - e bukur, marramendëse, me konotacionin pozitiv dhe negativ të saj, madje e bërë pushtet, por dhe e varur nga pushteti. Ndërkaq dhe unë kam punuar si gazetar, por nuk jam diplomuar për Gazetari, desha të them se gazetar të bën gazeta dhe jo Universiteti dhe gazetarët profesionistë janë tejet të rrallë te ne, shkak janë dhe gazetat vetë, prandaj dhe përgjigjet e mia do të jenë si të një qytetari, aq sa ka arritur ai të jetë i lirë së brendshmi, mbase më shumë janë përgjigje të një shkrimtari.   - Si mendoni se është perceptimi i publikut për median në përgjithësi dhe figurën e gazetarit në veçanti? Cilët gjykoni si elementët e duhur që mund të përmirësojnë këtë imazh? Si e gjykoni besueshmërinë e medias sonë sot?     Publiku sot, sipas meje, e percepton  median në përgjithësi po ashtu siç e sheh media publikun, ndërsjelltas si të marra në përdorim, me një lloj qiraje të pashkruar, që i duhen njëra-tjetrës, por secila për vete. Pra, ka më shumë një si marrëveshje dhe një si taksë për këtë, se sa një mirëkuptim qytetar për një akt qytetarie, i domosdoshëm. Po të thosha se  “mungon dashuria”, do të dukej pretendim i tepërt. Mendoj se interesat e secilës palë shpesh nuk janë të njëjta. Publiku do informim, të vërtetin, e ka këtë të drejtë. I duhet realiteti me dukuritë e tij sociale, ku shkak dhe pasojë është dhe vetë publiku, do të dijë që të dijë të mbijetojë si njeri dhe si kolektiv dhe jo imazhi i dukurive, i dhënë ashtu si do të donin të ishte ky realitet nga ata më sipër, jo i njëjtë për të gjithë. Qytetari do mjedis të shëndoshë mendor e shpirtëror dhe jo imazhin e një higjene, i ofruar shpesh nga media.  Mes këtij kaosi mediatik me “bume” dhe “falimente”, me “skupe” dhe “përplasje”, etj, përshfaqet dhe fantazma  e perëndisë se lajmit, Hermesi. Është i kërkuar prej mijëra vjetësh. Që sot është gazetari që duam. Mjeshtri i gazetarisë, informuesi, por që të mbijetojë s’i mjaftojnë as produkti, as talenti e as morali. Duhet t’i shërbejë dhe interesave të tjera, që ia mpakin misionin. Mediat nuk kanë besueshmërinë e duhur dhe pjesë të publikut besojnë aq sa u duhet të besojë. Ka parcialitet. Mungon një tërësi e përbashkët.   Ky imazh mund të qortohet, por më parë duhet të ndreqet realiteti i atij imazhi. Kontratë e ndërgjegjes dhe e përgjegjshmërisë me të vërtetën sociale dhe njerëzit, por jo me opinionin që duhet përhapur si virus në publik. Pavarësi e medias. - Si e gjykoni ecurinë e lirisë së shprehjes dhe të medias gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion dhe në ç’nivele gjendet aktualisht? A mendoni se gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët i marrin vendimet në punën e tyre të përditshme mbi bazën e ndërgjegjes profesionale? Pas rënies së perandorisë komuniste, natyrisht dhe të shpërbërjes së diktaturës në Shqipërinë tonë, shpërtheu një media ndryshe, e re, opozitare, prodemokratike, kritikuese, entuziaste,  nxitëse, pastaj dhe investigative, në Shqipëri po mbaheshin radhë të gjata në fillim për të blerë gazetat, s’kishte ndodhur kjo më parë, lajmi pëzjehej me kujtesën, me akuza e kundërakuza, me fakte e fantazmagori më shumë se sa fantazi, etj, etj, shpesh me një proliksitet, ku titulli ishte më i fortë se përmbajtja e artikullit. Gjithsesi mirë, do të thosha, një ringritje ndryshe e shtypit të viteve ’30 të shekullit të kaluar, pluraliste, me gazetarë të talentuar dhe pasionantë, shkrimtarë e poetë, por dhe vendi dhe teknika ishin të varfëra atëhere. Pas Luftës së Dytë Botërore, me vendosjen e diktaturës komuniste, më lejoni të kujtoj, media për një gjysmë shekulli u politizua keqazi duke u kthyer në një “fletë-rrufe shtetërore”, brezi im e kupton se ç’dua të them, shtypi u bë shtypës, “vegël” në duart e Partisë-shtet, shërbeu për propagandë, për të himnizuar socializmin dhe për të sharë armiqtë, të brendshëm dhe të jashtëm, pra gjithë botën.  Ajo trusni krijoi një përvojë, që përshfaqet dhe sot, pabesueshëm dhe si nostalgji dhe revansh klani dhe sherrnajë mediatike etj, dhe është arritur në një media oligarkike, me informacione të kontrolluara dhe të përllogaritura, të përpunuara, ku dhe lajmi dhe opinioni janë privatizuar.  Gazetarët përgjithësisht shihen si nëpunësa, ngjashëm me ata që shkruajnë rrëfime, por në këtë rast botojnë porositë e shefit, të bosit, të cilët ndjekin interesat e pronarit, që shpesh janë të njëjtët, të partive, opinionet dhe informacionin që u duhet atyre në gazetat që janë pronë e tyre. Del dhe ndërgjegja profesionale e gazetarit, shpërthejnë dhe të vërteta, por zakonisht jo ndaj domenit ku janë, po te tjetrit a grupit përballë, rival ose kundërshtar. Mendoj se më shumë kemi humbur në edukimin nëpërmjet të vërtetave, në kuptimin qytetar, nëse do t’ia kërkonim medias këtë gjë dhe kemi arritje në krijimin e një realitet mediatik fiktiv, që s’është i njëjtë me realitetin që perjetojmë. Dhe me ndihmën e medias ka privatizime të dëmshme të realitetit dhe realitet të privatizimit banal të medias. - Sot po përjetojmë nga njëra anë një krizë të medias, por njëherësh edhe një revolucion të saj.  Në ç’raport mendoni se janë mediat tradicionale dhe mediat e reja në vendin tonë, dhe cili është ndikimi i këtyre të fundit? Po, është ashtu siç thoni ju, nga njëra anë ka një krizë të medias, dhe të dobishme, do të thosha, deri sa media të gjejë vetveten dhe të japë atë që do të duhej dhe jo atë që duan, por ka dhe një revolucion mediatik, të paparë, që si çdo revolucion, që shpesh i krahasojnë me trenin, bën që ta shohësh realitetin nga dritaret e vagonave, në konfort, me shpejtësinë moderne të zërit...   Media është zë. E shkruar dhe e thënë. Që i është shtuar dhe imazhi. Kam përshtypjen se bashkë me traditën, ka një mpakje të dhimbshme të medias tradicionale dhe po sundojnë mediat e reja, e pritshme, logjika e progresit, duke krijuar neotraditën  e tyre, shpesh likuide, po të përdorim një term të sociologut filozof Zygmund Bauman, që ia atribuonte shoqërisë së sotme si metaforë të paqartësisë së paformë..  Ndikimi i tyre sot? I këtyre të fundit? Po fundi del dhe në krye. Ka një komunikim mahnitës global, ndjehesh i gjithkundshëm. Por media (shpesh) është biznes i klanit që e mban dhe e financon. Ku përzihet dhe shteti. Nuk e quaj më ndikim, por punë... Desh thashë për pak: punë të djallit. Por s’punon vetëm ai.   Gazetaria duket se po kalon në një periudhe krize kudo në botë. Media e pavarur has vështirësi të mbijetojë në një treg ku mbizotëron sensacionalizmi, klientelizmi politik, dhe lajmet e rreme. Si e shihni të ardhmen për gazetarinë e pavarur në vitet në vijim? Jeni optimist apo pesimist?   Në rang botëror? Në jam optimist apo pesimist? As njëra dhe as tjetra. Progresi ka rrugën e vet, me regresin brenda ashtu si regresi që mbart të kundërtën e vet, paparashikueshëm.  Ashtu siç thoni ju, mbizotërojnë interesa politike, me “fake news”, - gazetat i kanë qejf fjalët e huaja, ngjajnë më të ditura e më moderne kësisoj, ka pornografi reale dhe pornografi të realitetit, zhveshje të të vërtetave, desha të thosha, që shpesh mbulohen. Aq sa media sot të ngjan se ka arritur në distopinë e “1984”, romanit të George Orwelli-t, në botën e madhe kështu, por e madhe është dhe qëndresa dhe e vërteta e paasgjësueshme, pra dhe lajmi për të, ashtu parak. Me Hermes. Besoj te mira si natyrë e shoqërisë njerëzore.  Nëse e lokalizojmë në jam optimist apo pesimist për të ardhmen e gazetarisë së pavarur në vendin tonë? Si në gjithçka, do të jemi dëshpërimisht të vonë.   -Media online dhe rrjetet sociale pa dyshim kanë sjellë një revolucion në aspektin e marrëdhënies që krijohet me publikun dhe komunikimin në përgjithësi. Si mendoni se ka ndikuar kjo dukuri në cilësinë dhe profesionalizmin e informacionit? Po gazetaria, si mendoni se po përshtatet me këtë? Po, ka një revolucionalizim të komunikimit global, e thamë, që ka ndryshuar shumëçka, ku, pa mbaruar dobia e risisë, nis dhe dëmi, po e quajmë të së vjetrës, deri sa të vendosen ekuilibrat. Vazhdimisht debatohet e shkruhet. E do të shkruhet. Shkruajnë dhe shqiptarët. Është një çështje e përbashkët dhe unë mund të marr në ndihmë mendimin e specialistëve. Një studiues yni në diasporë, sociolog, i pëlqen të citojë Umberto Eco-n, shkrimtar dhe semiolog i famshëm:      “Po të pranojmë se në shtatë miliardë njerëz që banojnë planetin, ka një dozë të pashmangshme budallenjsh, shumë prej tyre një herë e një kohë ua komunikonin përçartjet të afërmve ose shokëve në lokal – e kështu opinionet e tyre mbesnin të kufizuara tek një rreth i ngushtë njerëzish. Tani një sasi e konsiderueshme e këtyre personave ka mundësinë t’i shprehë mendimet e veta në rrjetet sociale. Si rrjedhim, këto opinione arrijnë dëgjues të shumtë, e ngatërrohen me shumë të tjera të shprehura nga persona të arsyeshëm.” (Përkthimi nga vetë studiuesi Rando Devole). Dhe ai vazhdon duke pyetur: Po si mund të dilet nga kjo situatë? Sipas studiuesit tonë, gazetat dhe internetin Umberto Eco i shikon të ndara dhe ato duhet të kontrollojnë njëra tjetrën me sy kritik. Jo aq e kollajshme, në fakt, se sa efektive mund të jetë dhe e utilitare, për sa më gjatë. Shumë shpejt dhe kjo duket se u bë e vjetër. Çështja mbetet e hapur. Besoj se media online dhe rrjetet sociale, për aq sa njoh, një pjesë e tyre janë të shkëlyera, e kam fjalën dhe për tonat, në shqip, qofshin dhe të pakta, japin kulturë dhe art si pjesë të formimit dhe informimit dhe gazetaria ndërmerr dhe do të ndërmarrë me to, duke arritur të bëhen, mbase e njëjta gjë. Do t’i mësojë e ardhmja e tyre dhe e shoqërisë.  - Si mendoni se ka evoluar marrëdhënia ndërmjet medias dhe politikës ndër vite? Si e shihni zhvillimin e këtij raporti në të ardhmen? Është një marrëdhënie e ngushtë, uniforme, mendoj, që s’bëjnë pa njëra-tjetrën: media dhe politika. Nuk më duket se ka evolucion, por bashkëpunim ndër vite e vite. Evulojnë çështjet. Teknika. Shkenca. Dhe çdo gjë është politikë, por politika nuk është çdo gjë, sipas një poeti të njohur. Politika, për aq sa është e prapaskenave, konjukturale, asociale, ka dëmtuar dhe median kësisojshëm, besoj, sidomos tek ne, më shumë se sa media politikën.  Çmoj median kur bën opozitë konstruktive, e ka korrigjuar politikën. Po dhe është përdorur prej saj, prej klanit politik si zëdhënëse. Madje ka patur dhe presidentë republike, që duhet të ishin figura përbashkuese, me kult të vërtetat e qëndrueshme në dobi të vendit dhe të shtetit, që e kanë përdorur median për interesa te tyre vetanake, duke rënë deri në shpifje ordinere, të dënueshme. Deri këtu është katandisur. Ndërkaq, për fat të keq, ka dhe gazetarë, që kuptohen prej asaj që shkruajnë si në shërbim të interesave të të huajve në dëm të vendit. Siç duket nga që paguhen më shumë kështu. Lajmi i keq është lajm i mirë për gazetarinë, thuhet për paradoks. Absolutisht që mendoj ndryshe dhe i bindem mendimit tim. Kam vizituar një herë agjensinë italiane të lajmeve ANSA dhe u thashë me kujdes që pse japin vetëm lajme të këqia nga vendi im. Kur të ketë lajme të mira, do t’i japim, më thanë miqësisht, se lajmi i mirë nga andej është vërtet lajm.   Për aq sa politika do të jetë si “arti i së mundurës”, për të bërë më të mirën, edhe media do të jetë në raport më të drejtë me veten, me informacionin, me publikun. Parësore media duhet të ketë, si të thuash bërjen e “ódit all”-it të pushteteve, atë që e quajmë audit, kontrollin se sa pushteti apo shteti është në dobi të vendit dhe të  qytetarëve. Të çdo qytetari. Si po kryen detyrat ndërsjelltazi Dhe patjetër media duhet të ndikojë në klimen e kulturës së një vendi duke u bërë dhe vetë kulturë.  Dal përsëri te gazetaria italiane, nga që e kemi dhe pranë e i përket një vendi të zhvilluar europian, me ndikim te ne. Gazetari i shquar Enzo Biagi thoshte se Italinë më shumë se sa Heroi i tyre Xhuzepe Garibaldi, e bashkoi RAI. Media. Media tek ne bën dhe të kundërtën e asaj që bëri Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ndërkaq asaj nuk i kërkon askush të bashkojë Shqipërinë me Kosovën apo pjesët e tjera etnike në Ballkan, nuk mundet dhe s’është detyre e saj, ia kemi lënë si zgjidhje futjes bashkarisht në Bashkim Europian, si familja e natyrshme e shqiptarëve, por media në Shqipëri mund të përpiqet të bashkojë shqiptarët, qytetarët me të vërtetët, identitetin, strategjitë kombëtare, etj, në mbrojtje të tyre në kuptimin që mund të jemi bashkë kundër së keqes dhe po bashkë për të mirën e përbashkët. - Gazetaria profesioniste kudo në botë është në gjendje të vështirë edhe për një arsye madhore: ka ndryshuar modeli tradicional i biznesit, me hyrjen në lojë të internetit, medias online dhe rrjeteve sociale. Po në Shqipëri si e shihni këtë problem, dhe a shihni një model biznesi që është në gjendje të mbështesë një gazetari të pavarur,  në interes të publikut? Nuk ka ndryshuar vetëm modeli tradicional i biznesit, por dhe vetë biznesi, mjetet dhe realizuesit e tij gjithnjë e më eterike, dhe përfitimi sikur ka marrë diçka nga universi, nga Banka Universale, po kështu  dhe koncepti human, aq sa duket sikur nuk punojnë njerëz, por makineri, një realitet kibernetik dhe dollari dhe euroja, madje edhe leku po zevendësohen me kartat e kreditit. Shqipëria jonë shkon pas zhvillimeve, me vonesë, për shkaqe që dihen, ndonjëherë rend dhe në të kundërt, duke marrë më të keqen e përvojave botërore dhe duke i zbatuar më keq se ata, kur mund të ishte dhe do të duhej të ishte shumë e kujdeshme dhe e vëmendëshme me të mirat e përvojave botërore, që të përfitonte prej tyre. Do të më duhej prapë një krahasim, ai i centraleve eolike, i mullinjve që prodhojnë energji me anë të erës. Bashkohet dukshëm shkenca me natyrën. Energji kinetike e erës janë informacionet dhe parqet e centraleve me erë janë opinioni publik. Shpesh era fryn gjetiu dhe shpesh parku i helikave është i dëmtuar nga pronarët paraardhës.  Për sa të ketë klan politik, oligarkik, madje dhe kulturor, tribal, ku arrihet që të ketë presidentë republike në demokraci, të ardhur nga ushtritë politike të diktaturave, të fantaksur nga  imazhi i shtatoreve të diktatorëve dhe në klan me ta, që ndërkaq duket se luftojnë me mullinjtë e erës, ashtu do të jetë dhe gazetaria, e tillë, si informacioni politik në ushtri.  Mbase biznesmenë të fuqishëm jashtë Shqipërisë, nga diaspora nëpër Europë, po sidomos në SHBA, do të mund të mbështesin një gazetari normale. Të përgjegjshme. Nga dashuria për atdheun. - Një nga fushat ku gjërat kanë ndryshuar më pak gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicioni postkomunist kanë qenë marrëdhëniet e punës në media. Cilat do të renditnit si problematikat më të mprehta në këtë fushë dhe si e shihni perspektivën? Tranzicion i gjatë do të thotë ndryshime të ngadalta dhe të pakta, reforma në dukje, pa reformë në thelb. Jo aq sa do të duhej. Media është dhe pasqyrë e këtij tranzicioni dhe s’ka si të mos t’i ngjajë simetrikisht atij.   Problematikë është media në vetvete. Makineria e saj universale. Pavarësia e saj. Patjetër guximi qytetar në media, në shërbim të qytetit dhe të qytetarit. Guxim në ide, shkencë dhe teknikë. Guximi për të thënë të vërtetën. Lënda e parë. Dalja nga diktatura e varfërisë. Por dhe nga diktatura moderne e imazhit fiktiv. Kultura kombëtare. Edukata Kombëtare, siç thoshte Lasgush Poradeci. Ligji i gazetarisë, që e kërkonim nëpër botë dhe çuditërisht, për paradoks ishte në Kanunin tonë, atë të Lek Dukagjinit, në kreun për Lajmësin: “Lajmësi nuk preket, lajmësi nuk vritet për asnji gja”.  Të mos vritet media si e tillë me format vrastare demo(n)kratike. -Si do ta shihnit qasjen e medias ndaj problematikës së korrupsionit në vend dhe a gjykoni se gazetaria investigative mund të bëjë më shumë në këtë drejtim?  Mos më pyesni kaq shumë, se nuk jam aq i ri që ti di të gjitha, siç thoshte një i mënçur, ndërkaq shpesh media shikohet si pjesë e këtij korrupsioni, moral së pari, qoftë dhe duke u vënë në shërbim të korrupsionit apo duke heshtur, njëlloj është për të, kurse gazetaria investigative jo vetëm që bën shumë pak, (ndonjëherë me humorin e “fiks fare”), por pikërisht është dhe media që “ikën në drejtim të paditur” bashkë me keqbërësin.  Media duhet të mbledhë mashtrimet që të nxjerrë të vërtetat, të njohë sulmet që të bëjë mbrojtjen, të shohë poshtërimin që të sigurojë dinjitetin, të na tregojë me shkrim, me zë dhe figure se ku jemi. Pse jo dhe me ide. Kur fillova punë si gazetar në ditët e para të medias së parë opozitare, para 30 vjetëve, siç po na e kujtoni, thuhej se Lenini kishte thënë: Më jepni një gazetë dhe do të shikoni po nuk përmbysa një pushtet. Nuk e di a e ka thënë vërtet, por e di që ai ishte djalli i përmbysjeve, ndërkaq  unë shkruaja me modesti infantile: na jeni një gazetë, të ndërtojmë një shtet. Se mos duhet shteti më parë të lejojë një gazetë, që s’është e tij, por e shtetarëve, pra dhe në dobi të tij? Në pritje...

*Artikujt dhe intervistat e mësipërme janë pjesë e serisë së refleksioneve rreth rolit të medias në tri dekadat e tranzicionit postkomunist, një projekt i Politiko.al në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorëve dhe nuk reflektojnë, domosdoshmërisht, pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit. Çdo portal/gazetë që do të ripublikojë këto materiale duhet t'i referohet burimit fillestar.

Të fundit