Janë vendosur aty që pas Luftës së Dytë Botërore, Donald Trump përgatit tërheqjen e 35 mijë ushtarëve nga Gjermania

Sipas një raportimi të “Washington Post”, Ministria Amerikane  e Mbrojtjes po verifikon mundësitë e tërheqjes së trupave amerikane të stacionuara në Gjermani. Një nga opsionet e diskutuara është kthimi në shtëpi i një pjesë të madhe të rreth 35.000 ushtarëve amerikanë që ndodhen Republikën Federale të Gjermanisë ose zhvendosja e një kontigjenti prej tyre në Poloni, raporton gazeta.

Idenë e ka hedhur Donald Trump në një takim të këshilltarëve ushtarakë amerikanë dhe përfaqësuesve të Shtëpisë së Bardhë. Anëtarët europianë të NATO-s janë të shqetësuar për këtë hap dhe po përpiqen të sqarojnë, nëse Trump e ka seriozisht me këtë kërcënim për një ristrukturim të trupave apo kjo ka të bëjë me taktikë negociimi para samitit të NATO-s në korrik.

Pentagoni hedh poshtë lajmin

Sipas gazetës amerikane “Washington Post” bëhet fjalë për një studim të brendshëm të Pentagonit. Një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë e hodhi poshtë se ka kërkuar një analizë që kërkon tërheqjen e trupave nga Gjermania. Zëdhënësi i Pentagonit, Eric Pahin po ashtu e hodhi poshtë këtë. Por në të njëjtën kohë ai u shpreh, se stacionimi i trupave amerikane jashtë, verifikohet rregullisht duke iu nënshtruar kriterit të “shpenzim-përfitimit”. SHBA janë të lidhur si edhe më parë me Gjermaninë dhe NATO-n, tha Pahon.

Në Gjermani që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore janë të stacionuar ushtarët amerikanë. Gjermania ka kontigjentin më të madh të trupave jashtë Shteteve të Bashkuara. (DW)