Flash News

Kosova

Rashiç konfirmon pjesëmarrjen në diskutimet e SHBA-së për Asociacionin

Rashiç konfirmon pjesëmarrjen në diskutimet e SHBA-së

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pres të jetë një takim i mirë”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai u emërua në pozitën e ministrit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhjetorin e kaluar, kur Goran Rakiq, nga radhët e Listës Serbe, dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

Rashiq tha se qëndrim i tij është se marrëveshjet nuk mund të injorohen. Në këtë kontekst, shtoi ai, duhet të analizohen edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, për harmonizimin e Asociacionit me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Për krijimin e këtij asociacioni është rënë dakord në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel.

Dy vjet më vonë, përkatësisht në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më pas se disa prej tyre nuk janë në përputhje me ligjet e Kosovës, megjithëse ka thënë se ato të mund të harmonizohen.

Çështja është bërë pengesë për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa Serbia insiston në formimin e Asociacionit, Kosova refuzon, me arsyetimin se nuk mund të krijojë asociacione njëetnike, që do të binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin dhjetor se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.

Të fundit