Flash News

KRYESORE

Mbyllet gazeta ‘Mapo’, Kapexhiu: Lajm i trishtueshëm, ndoshta mund të jetë e përkohshme

Një tjetër gazetë print nuk do të shihet më në kioskat e shitjes së gazetave në tregun shqiptar.

Bëhet fjalë për gazetën Mapo dhe për këtë lajmin e ka bërë të ditur karikaturisti Bujar Kapexhiu, i cili ishte pranë lexuesve me hapësirën e tij satirike në këtë gazetë.

“... më vjen keq që ju jap një lajm të trishtueshëm. Gazeta MAPO nuk do të shihet më me lexuesin e saj. Lexuesi nuk do të prekë më letrën e faqeve të saj, ndoshta kjo mund të jetë e përkohshme.

Lus Zotin të jetë kështu! Megjithatë, unë, për të mos humbur e për të mos u larguar nga të gjithë miqtë e mi që kam pasur gjatë kësaj kohe e që mund të shtohen në vazhdimësi, do të vazhdoj bashkëpunimin me ju nëpërmjet karikaturës e zhanreve të tjera, si anekdota, shkrime humoristike, poezi humoristike e satirike për probleme të ndryshme, sidomos aktuale.

Me këtë rast ju informoj dhe për një hap të ri në komunikimin që mund të bëjmë së bashku. Nëpërmjet këtij Facebook-u personal studioja jonë artistike do të pranojë me kënaqësi e do të realizojë me cilësi çdo kërkesë të miqve tanë për karikatura miqësore të llojeve të ndryshme, për raste festash, dasma, datëlindje etj.”, shkruan ndër të tjera Kapexhiu.

Kujtojmë se kjo gazetë në fillim të këtij viti, u shit nga themeluesi i saj Henri Çili. Para ‘Mapo-s’, kanë falimentuar në formatin print edhe ‘shqiptarja.com’, ‘Shekulli’ etj.

Të fundit