Media amerikane: Si arriti Partia Demokratike të rrëzonte kandidaturën e Trump për Ambasadore në Tiranë. Skema

Daily Beast, një media amerikane jopartizane, në një speciale ku trajton ‘keqtrajtimin’ e zyrtarëve amerikanë në administratën e Trump, përmend edhe rastin e të nominuarës së Presidentit amerikan për ambasadore në Shqipëri, Kathleen Kavalec. DB, duke iu referuar një dëshmie të Fionna Hill, dhe burimeve të tjera të paspecifikuara, sheh Partinë Demokratike të Shqipërisë pas ‘puçit’ që rrëzoi kandidadurën e Kavalec, e cila kishte kaluar pa probleme vettingun e Shtëpisë së Bardhë për të përfaqësuar Trump në Tiranë.

Më poshtë janë pjesë të shkrimit të Daily Beast përkthyer nga Politiko.al.

Kathleen Kavalec, një zyrtare karriere në Departamentit të Shtetit, u kandidua nga Trump për të qenë ambasadore në Shqipëri korrikun e kaluar. Ajo e kaloi shpejt vettingun e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit dhe konsultimet tipike me homologët diplomatikë në Tiranë ndodhën pa incidente, sipas një zyrtari amerikan familjar me procesin.

Ndërsa mbërriti data e seancës konfirmuese të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Kavalec vendosi të bënte çka ajo e mendonte se do të ishte një telefonatë formale me senatorin Ron Johnson (Republikan i shtetit Wisconsin) më 16 gusht 2018, për të prezantuar kështu veten me shefin e nënkomitetit të Jashtëm me juridiksion Europën.

Në vend të kësaj, sipas një burimi të njohur me telefonatën, Kavalec e gjeti veten nën hetim. Johnson shpejt ua kaloi thirrjen telefonike hetuesve të ekipit të një Komiteti të dytë që ai kryeson, atij të Sigurisë së Brendshme dhe Çështjeve Qeveritare. Ata kërkuan detaje të një takimi në Tetor 2016 mes Kavalec dhe një prej armiqve politikë më të urryer të Trump-orbitës, Christopher Steele, “dosja” e të cilit me pretendime të paverifikuara dhe të pavërtetuara kundër Trump kishte qarkulluar në qarqet e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës, ku zyrtarët po shqyrtonin kontaktet ruse të individëve në rrethet e Trump.

Shpejt u bë e qartë se Johnson ishte më pak i interesuar në kualifikimet e saj si diplomate, ose në politikën e ShBA-ve ndaj Shqipërisë, dhe më shumë me rolin e supozuar të Kavalec në “gjuetinë e shtrigave” anti-Trump të Steele.

Pas telefonatës, zyrtarët në Departamentin e Shtetit, të shqetësuar se seanca e Kavalec ishte gati të shndërrohej në një shfaqje gjyqi, e tërhoqën nga stenda e dëshmitarëve. Javë më vonë, ajo u njoftua se nuk do të merrej asnjë veprim për emërimin e saj, dhe se kur të skadonte nominimi në fund të vitit, ajo nuk do të rinominohej. Kavalec ishte jashtë kandidimit për ambasadore.

As Kavalec dhe as kolegët e saj të DSh nuk e dinin në atë kohë që disa javë më parë, stafi i Johnson kishte hapur një linjë komunikimi me lobistët për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partia kryesore e opozitës në vend.

Në qershor, partia kishte punësuar Sonoran Policy Group, i cili e paraqet veten si një firmë “diplomacie globale private”. Shefi ekzekutiv i SPG Christian Bourge kontaktoi me këshilltarin e lartë politik të Johnson më 5 gusht. Ai raportoi se e kishte informimuar këshilltarin për “çështje korrupsioni / sigurie / narko-terrorizmi.” Por, Bourge ngriti edhe çështjen e nominimit të Kavalec.

As Bourge dhe zyra e Johnson nuk iu përgjigjën kërkesave për informacion shtesë mbi atë komunikim, ose korrespodencën pasuese midis Johnson dhe Sonoran Policy Group. Por Hill [Fionna], në dëshminë e saj në Kongres muajin e kaluar, fajin ia hodhi qartësisht Partisë Demokratike të Shqipërisë për fushatën anti-Kavalec.

“Unë besoj se ka pasur një goditje kundër saj nga Demokratët shqiptarë,” tha ajo. PDSH “mori informacione duke përfshirë faktin se ajo ishte përmendur në këto shkëmbime me … Chris Steele, dhe e përdori atë për ta denoncuar atë, në thelb në mënyrë që Departamenti i Shtetit të

…Nuk është e qartë se çfarë thanë lobistët e PDSH-së për Kavalec në komunikimet e tyre vitin e kaluar. Por ata përfundimisht përmendën teori të tjera konspirative në komunikimet me Departamentin e Shtetit dhe zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë. Firma Barnes & Thornburg, të cilën PDSH e punësoi në 2017, akuzoi Partinë Socialiste në pushtet, se po ndiqte agjendat e miliarderit hungarez George Soros — dhe diplomatin e lartë Tom Shannon, asokohe Sekretar i Shtetit në detyrë, se po i hepte mbështetjen amerikane këtij grupazhi…