Flash News

KRYESORE

Meta i propozon Kuvendit një tjetër emër për kreun e KLSH

Presidenti Ilir Meta ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë Arben Shehun për t’u zgjedhur si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë.

Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë.

Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to.

Presidenti i Republikës, pavarësisht se ka lexuar me shumë vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para pozitës së rrëzimit të propozimeve për tre kanditaruave rradhazi, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore dhe përvojës së gjerë profesionale të secilës prej kandidaturave.

Mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Kush është Arben Shehu:

1998-2002    Diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

2004-2005    Master në Shkenca Penale Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës

2011         Marrja e gradës shkencore “Doktor i Shkencave Ligjore” në fushën e krimit të   organizuar dhe legjislacionit ndërkombëtar.

2018             Diplomuar për Administrim Biznes

Vazhdimi i ciklit për titullin Profesor i Asociuar

Njohës shumë i mirë i tre gjuhëve të huaja (Anglisht, Italisht, Frëngjisht)

EKSPERIENCA:

2004 – e në vazhdim Pedagog pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

2003- e në vazhdim, anëtar i Dhomës së Avokatisë, dhe përfaqësues për çështje ligjore dhe ekonomike të shoqërive tregtare.

Redaktor në “World Journal of Social Science Research”

Pjesëmarrës në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare me publikime akademike.

Më herët, PS ka rrëzuar edhe tre propozime të presidentit për këtë pozicion që aktualisht mbahet nga Bujar Leskaj, konkretisht për Vitore Tushën, Bahri Shaqirin dhe Petraq Milon.

Të fundit