Olta Gixhari fiton gjyqin ndaj vajzës së deputetit të PS, i merr 5500 euro dëmshpërblim

Një reklamë, e realizuar gjatë vitit 2014 është bërë shkak i një konflikti mes aktores së mirënjohur Olta Gixhari dhe vajzës së deputetit shqiptar Dashamir Peza, Amantias.

Por, mosmarrëveshja mes vajzave është zgjidhur tashmë në gjykatë. Për më shumë se një vit ka zgjatur procesi në Gjykatën e Tiranës, pas padisë së ngritur nga aktorja, për Shoqërinë “Pik Creative SHPK” (aksionere e së cilës është Amantia Peza). Olta pretendonte se nuk e kishin paguar për reklamën që ajo i kishte bërë një kompanie celulare tre vjet më parë, pas kontratës me këtë shoqëri reklamash, raporton Gazeta Shqiptare.

Olta Gixhari ka fituar dhe kompania e reklamave tashmë është e detyruar t’i paguajë jo vetëm shumën prej 5475 euro, por edhe kamatvonesat për të gjithë kohën e humbur. Sipas vendimit, gjykata nuk i pranoi të gjitha kërkesat e Olta Gixharit, por i dha pjesërisht të drejtë për pretendimet e ngritura.