Flash News
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
I treti në listat e kandidatëve për deputetë duhet të jetë grua. Në zgjedhjet e shkuara, partitë kishin luksin e një gjobe kur nuk respektonin kuotat gjinore, të cilën e paguanin me dëshirë. Tani ka rënë edhe ai shtrëngim. Kodi e bën të qartë detyrimin që çdo kandidat i tretë duhet t’i përkasë gjinisë femërore.
Kjo i ka zënë ngushtë partitë, aq sa një kryetar i ka thënë një prej bashkëhartuesve të Kodit Zgjedhor se do të fuste të shoqen në vend të tij, të tretën në një prej qarqeve, si hakmarrje për këtë detyrim.
I cili është në fakt artificial. Sado që gjuha politikisht korrekte na e kërkon të gjejmë gra adapte në çdo lëmë të jetës, dhe të ndajmë me to kafshatën e çdo barazie, e vërteta na vëzhgon.
Fuqizimi i grave nga lart-poshtë është një eksperiment i cili, jo vetëm nuk e nivelon fushën e lojës, por krijon hendeqe të reja. Edhe në këtë pike, përpjekja për të krijuar barazi, një affirmative action, nuk e zgjidh problemin, por e lustron atë. Fuqizimi i gruas nëpërmjet ‘kuotave detyruese’ nuk na çon te hapja dhe te ndryshimi i mentalitetit dhe stereotipeve gjinorë, por thjesht krijon disa ‘supergra’. Të cilat shpejt futen në domenin e mashkullores dhe fillojnë e sillen si burrat. Të cilat nuk shërbejnë si modele, madje bëhen anti-modele.
Për paradokos, gratë futen ‘me zor’ në lista, ndërkohë që një kategori tjetër, e njohur si ‘të fortët’, futen me dëshirë. Dëshirë që është, si e vetë të fortëve ashtu edhe liderëve politikë. Të mos gabohemi duke cilësuar si të fortë vetëm cubin lokal. Një kategori shumë e kërkuar nga krerët partiakë është ‘i forti’ financiarisht. Preferohet ai që mund të financojë fushatën e vet, të partisë, dhe t’i teprojë një kuotë edhe për kryetarin.
Nëse shihni listat, gjithnjë e më shumë do të dalloni tipologjinë e njerëzve me kokën bosh dhe xhepin plot. Ka një kuotë për ta dhe këtë e kanë vendosur kryetarët.
Këto janë listat pritëse për në Kuvendin e Shqipërisë: me kuota gjinore vendosur nga presioni ndërkombëtar dhe kuota të fortësh me zell të kryetarëve.
Parlamenti po kthehet në fabrikë burrneshash dhe cubash.