OPINEWS

Opozitë me kullë

Opozitë me kullë

Klodian Tomorri

Projekti i ndërtimit të kullave tek selia e Partisë Demokratike ngre shumë pikëpyetje interesante. Pikësëpari vetë emërtimi është perlë. Projekti quhet Parku i Katër Lirive dhe do të ndërtohet bash mu tek Shtëpia e Lirisë, siç e quan opozita selinë e saj. Shumë gjetje. Nejse, të kthehemi tek pikëpyetjet tani.

Toka aty është e Toptanëve. Por po të mos dojë PD aty nuk ngulet dot asnjë gozhdë, jo më të ndërtohen kulla. Se nuk ka askush guxim të nxjerrë opozitën nga selia. Këtu lind dhe pikëpyetja e parë. A ka gjasë që një projekt i tillë të jetë bërë pa dijeninë e PD?

Së dyti, projekti ashtu siç është paraqitur, veç Shqupit përfshin dhe BKT. Para disa muajsh, BKT e braktisi selinë e saj me preteksin se ishte dëmtuar nga tërmeti dhe u zhvendos përballe TEG tek një godinë që e ka ndërtuar Fusha. Atëherë unë kam publikuar një denoncim se sebepi i tërmetit ishte i stisur për të liruar vendin e ish selisë së BKT, me qëllim që aty të ndërtohej kullë në ortakëri mes Fushës dhe BKT.

Tani trekëndëshi bëhet shumë interesant. PD, BKT, Fusha. Tamam trekendësh Bermude. Pikëpyetjet që lindin këtu janë disa:

Kujt i lindi ideja e bashkimit të kullës së BKT me kullat e Shqupit në një kompleks të vetëm?

A lindi ky bashkim para apo pas prishjes se Teatrit Kombëtar? Pra Teatri-Fusha-BKT-Opozita-Kullat.

Dhe nëse në kompleks ka disa aktorë, si është e ndarë ortakëria mes tyre?

Ka shumë pikëpyetje ky projekt. Ndoshta mund të jetë edhe i rremë. Por deri tani askush nuk po e përgënjeshtron. Thjesht po ia hedhin topin e përgjegjësisë njëri tjetrit. Dikush thotë është miratuar vite më parë, dikush tjetër thotë ka qenë nëe projekt por është rrëzuar, etj etj.

Gjithsesi këtu nuk bën më çudi asgjë. Shqipëria ka muze me kullë, bankë me kullë, stadium me kullë. Çdo e gjëje po të ketë dhe opozitë me kullë?

Të fundit