Flash News

E-TJERA

Të përfituara me dokumente të falsifikuara, Prokuroria sekuestron 276 hektarë tokë në Fier

Të përfituara me dokumente të falsifikuara, Prokuroria sekuestron

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar 276 hektarë tokë të përfituar me dokumente të falsifikuara të një personi në fshatin Hasturkas, Libofshë.

Sipas prokurorisë, pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, është vënë në pronësi të shtetasit me iniciale T.Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar.

Më pas kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit.

“Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T.Zh, vendimit nr.5, datë 26.09.1999, të ish Komunës Libofshë, Vërtetim datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuar, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit).

Gjithashtu rezulton se vendimi nr.5, datë 26.09.1999, i ish Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa dhe data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e Dielë, ditë pushimi, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.”- njofton Prokuroria.

T.Zh., është proceduar penalisht pasi akuzohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’.

Të fundit