Flash News

E-TJERA

Rihapet çështja e vrasjes së mësueses italiane, e dyshuar një 47-vjeçare shqiptare

Rihapet çështja e vrasjes së mësueses italiane, e dyshuar

Autoritetet italiane kanë rihapur hetimet për një vrasje të pazgjidhur që tronditi Padovën në dhjetor të vitit 2008.

 Viktima ishte Maria Pellegrini, një mësuese 78-vjeçare në pension, e cila u gjet e mbytur në shtratin e saj me një qese celofani të mbështjellë në fytyrë, në banesën e saj në Casalserugo.

Prokuroria Publike e Padovës ka futur në listën e të dyshuarve një shtetase shqiptare 47-vjeçare, e cila aktualisht ndodhet në burg për një çështje tjetër që lidhet me vjedhje.

Sipas autoriteteve, profili i saj gjenetik mund të përputhet me ADN-në e gjetur në një shirit ngjitës, i përdorur nga vrasësi për të fiksuar qesen plastike në fytyrën e viktimës.

Gjykata ka urdhëruar kryerjen e një raporti të ri ekspertize, ndërsa hetimet e mëtejshme do të zhvillohen në prani të përfaqësuesve ligjorë të palëve të përfshira: familjarëve të viktimës dhe të dyshuarës shqiptare.

Në kohën kur ndodhi ngjarja, vdekja e gruas së moshuar ngjalli tronditje, pasi ajo kishte një pasuri të konsiderueshme në prona të paluajtshme, megjithatë nuk mbante bizhuteri apo para të gatshme në shtëpi. Pistat hetimore u fokusuan fillimisht në konfliktet e mundshme që ajo mund të kishte në botën e biznesit, por dyshimet kryesore mbetën tek një grabitje që mund të ketë shkuar keq.

Pavarësisht se hetimet nuk dhanë rezultate për vite me radhë, familjarët nuk kanë ndalur së kërkuari drejtësi, duke bërë thirrje publike, përfshirë një apel të fundit në vitin 2021 përmes emisionit “Chi l’ha visto”. Tani, pas më shumë se një dekade e gjysmë, teknologjia e ADN-së mund të japë më në fund një përgjigje për këtë rast të ftohtë.

Të fundit