Pompeo: Normalizimi i raporteve Kosovë- Serbi i shërben Ballkanit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo takoi presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në Nju Jork dhe temë kryesore e bisedimeve mes tyre ishte marrëdhënia Kosovë – Serbi.  Sipas zyrtarit amerikan, normalizimi i raporteve të Serbisë me Kosovën, do ta forcojë stabilitetin dhe prosperitetin e Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe komunitetit transatlantik.

“Një takim dreke produktiv me presidentin Vuçiç, rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe pranimit të Serbisë në BE. Normalizimi i raporteve me Kosovën, do të forcojë stabilitetin e Serbisë, të Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”, shkroi pas takimit sekretari Pompeo në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiç deklaroi gjatë takimit se sekretari Pompeo dëshironte të dëgjonte se çfarë mendon, para së gjithash, Serbia për zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Ai shtoi se ka kërkuar që “SHBA-ja të ndikojë edhe më fuqishëm te shqiptarët e Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe”.

Takimi ndërmjet presidentit Vuçiç dhe sekretarit Pompeo bëhet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.