Flash News

KRYESORE

Prokurorisë së Dibrës “i ngeci” dosja ‘184’, zbardhen kërkesat e rrëzuara : S’kemi staf; kemi konflikt interesi

Prokurorisë së Dibrës “i ngeci” dosja

Prokuroria e Përgjithshme reagoi sot me një deklaratë për mediat duke sqaruar pse u transferua dosja e bujshme ‘184’ nga Krimet e Rënda te ajo e Dibrës.

Ndër të tjera, sqarohet se vendimi është marrë nga prokurori i çështjes, Klodian Braho që në muajin korrik, menjëherë pas ndryshimit të cilësimit juridik të veprës penale.

“Ky vendim është marrë nga prokurori i çështjes, Klodian Braho, menjëherë pas ndryshimit të cilësimit juridik të veprës penale me urdhrin e datës 12.07.2019. Me këtë akt, në bazë të nenit 287/2 dhe 315/3 të Kodit të Procedurës Penale, është urdhëruar ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga forma e veçantë e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”’, sqaron prokuroria, ndërsa në njoftim zbardh edhe kërkesat që ka paraqitur Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, ka paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë, kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kompetencat për këtë procedim penal, kërkesa këto që janë rrëzuar.

“Me aktin e datës 21.07.2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, ka paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë, kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kompetencat për këtë procedim penal, duke i kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm caktimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, si prokurori kompetente për ushtrimin e ndjekjes penale në procedimin penal nr. 184/2016.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër e ka bazuar këtë kërkesë në disa arsye:

Së pari, veprat penale janë kryer nga grupi i strukturuar kriminal dhe për këtë vepër është kompetente Prokuroria për Krime të Rënda.

Së dyti, prokurori duhet t’i ishte drejtuar gjykatës për pushimin e akuzave dhe jo të procedonte me ndryshim të cilësimit juridik.

Së treti, prokurorët e Prokurorisë Dibër janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk mund ta hetojnë çështjen në fjalë.

Së katërti, Prokuroria Dibër nuk ka staf të mjaftueshëm për të përballuar këtë çështje.

Prokurori i Përgjithshëm, pasi shqyrtoi aktet e procedimit penal nr.184/2016, si dhe pasi vlerësoi arsyet e paraqitura në kërkesën për parashtrim të mosmarrëveshjes për kompetencë lëndore, vlerësoi se:

Nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë, pas kryerjes së veprimeve hetimore në tërësi dhe përfundimit të plotë të transkriptimit të përgjimeve, më datë 12.07.2019 është urdhëruar ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga forma e veçantë e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë” , veprim ky që e ka bërë Prokurorinë për Krime të Rënda të mos ketë kompetencën lëndore për vazhdimin e hetimit të çështjes penale”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Nga ana tjetër, PD e ka cilësuar këtë vendim si një metodë për mbylljen e hetimeve për dosjen e ‘nxehtë’ të shitblerjes së votave, ku të implikuar janë emra të shumtë të PS, përfshirë edhe ish-ministra dhe vetë kryeministrin Rama.

Pse u dërgua në Dibër dosja “184”, reagon Arta Marku: Ishte vendim i prokurorit të çështjes   

Të fundit