Flash News

KRYESORE

Rama flet për dyzimet gjermane ndaj konferencës së parë për negociatat me BE dhe pse nuk u takua me Merkel

Rama flet për dyzimet gjermane ndaj konferencës së parë

Kryeministri Edi Rama ka folur nga Gjermania mbi qëllimin e vizitës dy-ditore atje.

“Jam i ftuar në një forum të rëndësishëm të politik-bërjes në Bavari, me një qëndresë të shkurtër në Berlin, ku u takova me një grup përfaqësuesish të Bundestagut dhe të sektorit privat për të biseduar për perspektivën ekonomike dhe politike të vendit, si edhe perspektivën në këto dy drejtime”, u shpreh Rama për DW. I pyetur nëse u takua me Kancelaren Angela Merkel, ai tha se nuk ishte ky qëllimi i vizitës.

“Nuk kam ardhur në këtë udhëtim për të takuar Kancelaren Merkel. Kam ardhur për të shkuar në forumin e politik-bërjes dhe ndalesa e mbrëmshme në Berlin ka qenë thjesht dhe vetëm për të nderuar ftesën e një përfaqësie të gjerë politikanësh dhe sipërmarrësish që dëshironin të ndanin me mua opinione dhe që kanë një interes të veçantë për Shqipërinë. Me Kancelaren jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe s'ka asnjë problem”.

Rama foli edhe për dyzimet gjermane ndaj konferencës së parë për negociatat me BE, zgjedhjet në Shqipëri dhe rolin si kryetar i radhës i OSBE-së.

“Këtë do ta shohim në varësi të vendimit që do të marrë Këshilli Europian. Por ajo që është e padyshimtë, është që ne po ecim në mënyrë intensive në hedhjen e hapave të mëtejshëm dhe, pavarësisht se çfarë do të vendosë Këshilli Europian, që ne e dimë që është një vendimmarrje që varet shumë më tepër nga dinamikat e brendshme, se sa nga çfarë bëjmë ne, ne do të vazhdojmë me vullnet dhe me durim. Dhe shpresoj që Konferenca do të ndodhë në fund të këtij viti, dhe nëse nuk ndodh në fund të këtij viti, ajo do të ndodhë vitin e ardhshëm dhe kjo është thjesht një çështje, që e përsëris ka të bëjë me dinamikat e brendshme në Bashkimin Europian”, tha ai.

“Megjithatë, qarqe nga grupi CDU/CSU në Parlamentin Gjerman ngurrojnë të fillojnë negociatat me Shqipërinë, pasi janë të zhgënjyer nga ndryshimi i Kushtetutës që u bë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes zgjedhore me ndërhyrje të fortë nga pala ndërkombëtare”, shton DW.

“Gjermania është një vend demokratik. Ka vend për të gjithë zërat. Ajo që unë besoj është që, në konkluzion, ne kemi bërë gjënë e duhur për vendin tonë, kemi bërë gjënë e duhur për sistemin zgjedhor, dhe kemi bërë gjënë e duhur në funksion të ambicies sonë për të konsoliduar më tutje procesin zgjedhor dhe procesin demokratik. Dhe jam i bindur që, pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë absolutisht legjitime, kjo nuk do të përbëjë asnjë arsye për të pasur ndonjë rezervë mbi Shqipërinë”, u përgjigj Rama.

https://politiko.al/rama-nuk-u-takua-me-merkelin-dw-gjermania-ende-nuk-eshte-e-bindur-per-integrimin-e-shqiperise-ne-be/

https://politiko.al/pluralizmi-nuk-cenohet-nese-pakica-smerr-pjese-ne-zgjedhje-rama-shqiperine-sdo-ta-leme-si-vatren-me-te-nxehte-te-shpifjeve/

Të fundit