Flash News

KRYESORE

Raporti i publikuar sot/ Komisioni Evropian ‘shuplakë’ Qeverisë: PPP-të po rrezikojnë buxhetin, zgjidhen pa konkurrencë

Raporti i publikuar sot/ Komisioni Evropian ‘shuplakë’

Komisioni Europian në raport progresin për Shqipërinë të publikuar sot, ndërsa është shprehur pozitiv për ecurinë në përgjithësi të ekonomisë, nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim për praktikat e ndjekura për projektet me partneritet publik-privat, që janë zgjeruar ndjeshëm së fundmi. Raporti thotë se mbështetja gjithnjë e më shumë në këto projekte përbën rrezik fiskal. Për më tepër, thekson raporti, pjesa më e madhe e kontratave PPP janë përzgjedhur në bazën e ofertave të pakërkuara, çka redukton konkurrencën në prokurime.

Komisioni Europian me qëndrimin e tij ndaj PPP-ve është në të njëjtën linjë me institucionet ndërkombëtare, sidomos Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka paralajmëruar për rreziqet fiskale që i vijnë buxhetit nga përqendrimi në projektet e partneritetit publik privat dhe për faktin që pjesa më e madhe e tyre janë borxh i fshehur.

PPP-të

Raporti thekson se financimi publik nuk mjafton për të kapërcyer hendekun e madh të infrastrukturës, kështu që qeveria po kërkon të mobilizojë kapitalin privat, kryesisht përmes partneriteteve publike-private (PPP-të). Investimet publike u rritën mesatarisht 6.2% në vit në vitet 2013-2018 dhe mesatarisht përbënin rreth 18% të shpenzimeve publike gjithsej. Rritja e mbështetjes tek PPP gjeneron detyrime potenciale dhe rrjedhimisht risqe fiskale. Njësia e sapokrijuar e rrezikut fiskal nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të monitoruar këto rreziqe. Financimi i infrastrukturës mund të bëhet më efikas duke shfrytëzuar potencialin për sinergji në planifikimin dhe ekzekutimin e të dyjave, edhe PPP-ve dhe investimeve publike konvencionale, rekomandon raporti.

Përfshirja e shtetit dhe subvencioneve publike mbetet përgjithësisht e ulët në ekonominë shqiptare, por rritja e mbështetjes tek PPP ngre potencialin e ndikimit të shtetit në tregje të caktuara, thuhet në raport. Qeveria është angazhuar gjithnjë e më shumë në projektet PPP-të, veçanërisht për energjinë dhe transportin, ku ka marrëveshje çmimesh apo vëllimi për shërbime dhe mallra. Pagesat e qeverisë për këto kontrata, sipas ligjit kufizohen në 5% të të ardhurave tatimore të vitit të kaluar dhe për vitin 2018 ky kufi thuhet se është respektuar. Shumica e kontratave ekzistuese të PPP janë përzgjedhur në bazë të propozimeve të pakërkuara, të cilat reduktojnë konkurrencën në prokurime. Raporti vlerëson rishikimin e legjislacionit për kufizimin e projekteve të pakërkuara. Megjithëse legjislacioni i prokurimit kohët e fundit është përmirësuar, zbatimi i prokurimit publik ka mbetur i mangët dhe vazhdon të perceptohet si jo transparent, thuhet në raport.

*Marrë nga 'Monitor'

Të fundit