Flash News

KRYESORE

Rriten tensionet Kosovë - Turqi, Veseli mbështet kryeministrin Haradinaj dhe i ‘tregon vendin’ Erdoganit: Jemi shtet i pavarur

Rriten tensionet Kosovë - Turqi, Veseli mbështet kryeministrin

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i është kundërpërgjigjur paralajmërimit të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan drejtuar Kryeministrit Ramush Haradinaj ku e kërcënonte se do të jepte llogari për shkarkimin e Ministrit Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Driton Gashi

Përmes një postimi në Facebook, Veseli i ka cilësuar si shqetësuese deklaratat që vijnë nga lideri i një vendi mik si Turqia. Sipas Veselit, veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë sovrane dhe nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme, ndërsa paralajmëroi shkarkimin e të tjerë zyrtarëve përgjegjës për ekstradimin e fshehtë.

“Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq. Këto deklarata janë shqetësuese, sepse vijnë nga lideri i një vendi mik, mbështetja e të cilit shtet është dëshmuar në vazhdimësi para dhe gjatë gjithë ekzistencës së shtetit tonë. Andaj, deklarimet e tilla nuk i kontribuojnë forcimit të miqësisë dhe bashkëpunimit te ndërsjellë, për çka vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar’, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Veselit.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme turke lëshoi një tjetër deklaratë për shtyp, ku i kërkohet autoriteteve kosovare të garantojnë sigurinë e ambasadës turke në Prishtinë. Ambasada turke hedh akuza se prapa protestave të ditëve të fundit dhe reagimeve kundër ekstradimit të 6 gylenistëve drejt Turqisë, fshihet rrjeti i klerikut në arrati Fetullah Gylen.

Kriza në marrdhëniet me Turqinë u përmend edhe në meshën e mesnatës të Pashkëve në Prishtinë nga Imzot Dodë Gjergji, i cili ekstradimin e turqve, e quajti prerje në besë. “Këta që kanë prerë mikun në besë dje, do të jenë nesër të gatshëm të dorëzojnë edhe kryeministrin”.

Të enjten, 6 shtetas turq pjesë e rrjetit të institucioneve arsimore të Fetullah Gylenit u arrestuan dhe u ekstraduan fshehurazi drejt Turqisë. Presidenti turk tha se operacioni ishte kryer në mënyrë të fshehtë si bashkëpunim mes shërbimeve sekrete të dy vendeve.

Të fundit