“Sekuestrim i pasurive”, avokati i Ylli Ndroqit: Ka parregullsi ligjore, nuk janë plotësuar kushtet për sekuestro

Avokati i Ylli Ndroqit
Avokati i Ylli Ndroqit

Avokati i biznesmenit Ylli Ndroqi, ka deklaruar sot në një konferencë për mediat se disa nga 26 pasuritë e paluajtshme të Ylli Ndroqit, të sekuestruara nga SPAK nuk janë në pronësi të tij, ndërsa disa të tjera janë sekuestruar padrejtësisht.

Ai u shpreh se do të apelojnë vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të SPAK, pasi për disa prej pronave nuk janë plotësuar kushtet për sekuestro si dhe ka parregullsi ligjore.

Avokati i Ndroqit tha se Policia deklaroi se hetimi ndaj biznesmenit po zhvillohej që prej 18 muajsh, ndërkohë që ai u shpreh se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) është krijuar vetëm 8 muajt e fundit.

“Ju bëjmë ne dije se do bëjmë ankimim ndaj vendimit në SPAK. Vendimi ka një sërë parregullsisë ligjore dhe proceduriale, nga nxitimi për të mbyllur këtë akuzë. Është vendosur sekuestro me mbi 26 pasuri.

Po si është e mundur që për 7 ditë nga procedimi penal, u gjetën indicie për sekuestrimin e pasurive. Policia deklaroi se hetimi ka zgjatur 18 muaj, ndërkohë që para 8 muajsh prokurorët e SPAK janë betuar para Presidentit të Republikës.  Si mund të zhvillojë SPAK një hetim kur nuk ka ekzistuar? Këto hetime të kryere nga policia pa dijeni prokurori, janë hetime të paligjshme dhe ngre dyshime për mundësinë e keqpërdorimit të Policisë së Shtetit nga ana e Qeverisë.

Një pjesë e pasurive të vënë nën sekuestro nuk janë të gjitha nën pronësi të z.Ylli Ndroqi. Që në vitin 1993 është regjistruar tek Tatimet si person fizik, më pas në 1996, është regjistruar tek Tatimet si person juridik. Ka kryer një aktivitet tregtar që ka nisur që në vitin 1991.

Jeni dëshmitarë të qëllimit të nxitimit të këtij hetimi nga SPAK, nxitime me prapavijë politike që i kanë kushtuar jo pak qytetarëve shqiptarë. Prezenca e forcave të RENEAS kur u ekzekutua vendimi i gjykatës, bëhet me qëllimin për të ndalur zërin e mediave që ka në pronësi z.Ylli Ndroqi. Të gjitha aktivitet janë me kredi dhe këto godina, godinat e “Ora News”, janë financuara 100% rikonstruksioni i tyre nga bankat me kredi.

Po ashtu janë me vendim gjykata tre automjete, të sekuestruara, por të tre nuk ekzistojnë, nuk e  di ku i ka gjetur SPAK, edhe një apartament në Durrës nuk ekziston, nuk e di ku e kanë gjetur”, tha avokati i Ylli Ndroqit.