Flash News
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Dritan Shano
U hapën apo jo negociatat me Bashkimin Europian këtë Tetor apo Tetorin tjetër, i plas vetëm qeverisë se do të vari një medalje kartoni në kraharor, dhe një numri të kufizuar njerëzish të tjerë që merren me politikë dhe mund të nxjerrin ndonjë përfitim nga hapja ose mos-hapja e këtyre negociatave. Në përgjithësi këtij takëmi nuk i intereson integrimi dhe anëtarësimi në BE, por vetëm proçese rrethore ku lëvizja dhe jeta e tyre politike nuk piqet askund me BE, me institucionet dhe sistemin e vlerave Europiane. Një kontakt i tyre me orbitën ku lëviz BE, do bënte që ata, politikisht, të kishin të njëjtin fat që ka mushkonja kur bie në kurthin elektrik të krijuar enkas për të.
Shqiptarëve të tjerë, pra popullit të thjeshtë, nuk i plas fare nëse u hapën apo jo negociatat. Nuk ka asnjë përpjekje nga qeveria për t'i shpjeguar atyre se çfarë përfitojnë në rast se hapen negociatat, kështuqë shqiptarët sot nuk dinë as çfarë humbin as çfarë fitojnë konkretisht. Natyrisht, shqiptarët e dinë se nëse afrohen me BE fitojnë një ekonomi tregu ku konkurrenca funksionon më mirë se në Shqipëri, një drejtësi më funksionale, zbatim të ligjit dhe të kontratave më të mirë se këtu, standarde më të mira shëndetësore, arsimore, ushqimore etj. I dinë këto më mirë se qeveria dhe politika shqiptare. Shqiptarët e sotëm e shohin se personazhet që u flasin atyre për integrim europian janë shumë më të pasur se ata vetë, dhe se janë po të njëjtët e këtyre 30 vjetëvë. Prandaj, në rrethanat ku ndodhen, kanë vendosur të kenë një qasje tjetër për t'i arritur të gjitha këto. Duke e marrë vetë situatën në dorë.
Shqiptarëve të tjerë, pra popullit të thjeshtë, nuk i plas fare nëse u hapën apo jo negociatat. Ata kanë vendosur të materializojnë vokacionin, vullnetin e tyre, apo biznesplanin e tyre për t'u bërë pjesë e BE me mënyrën e vet, duke ndjekur proçese personale, që nga bashkime familjare, punësim sezonal, emigracion klandestin, e deri kërkesa për azil. Të gjitha këto, janë qasje që kërkojnë sakrifica personale, monetare dhe njerëzore, por që shqiptarët i konsiderojnë më të lehta sesa pesha e rëndë grabitqare e qeverisë dhe politikës në përgjithësi , që u rëndon e papërballueshme mbi supe. Këto veprime të shqiptarëve tregojnë që ata negociatën e tyre me BE e quajnë të mbyllur, pra nuk duan të kenë pjesërmarrje sterile në proçese negociatash; ata synojnë vetëm anëtarësimin konkret dhe të plotë të tyre - personal dhe familjar - në BE.
Shqiptarëve të tjerë, pra popullit të thjeshtë, nuk i plas fare nëse u hapën apo jo negociatat. Sepse ata e dinë që hapja e negociatave dhe anëtarësimi në BE janë dy gjëra krejt të ndryshme. Hapja e negociatave, dhe vazhdimi i negociatave i intereson qeverisë dhe politikës; ato mund të vazhdojnë edhe 30 vjet të tjera. Edhe endja e çarçafit të Penelopës zgjati më pak, në fakt e gjithë Odiseja zgjati vetëm 10 vjet. Shqiptarët nuk kanë kohë të merren as me burokratët e Komisionit të BE, dhe as me politikantët e tyre pasanikë. Kështuqë, ata do vazhdojnë me planin e tyre të integrimit dhe anëtarësimit në BE, të sigurtë se do kenë pasaporta Europiane, shumë më përpara se kjo të jetë e mundur për qeveritarët e tyre.
Dhe pastaj, të gjithë jetuan të lumtur e të kënaqur.
Personalisht, mendoj se loja me negociatat është: nëse hapen, ato janë një karrotë që i jepet qeverisë duke i zgjatur jetën asaj dhe sidomos një mënyre të caktuar të bëri politikë, që ka varfëruar dhe shfarosur Shqipërinë. Nëse ato nuk hapen, qeveria do duket keq, por qeveria dhe te ngjashmit e saj në politikë janë të kënaqur, sepse në fakt nuk duan kurrsesi t'i afrohen më shumë se duhet Brukselit nga frika se mos i digjen opsionet e pasurimit dhe sundimit.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për hapje ose jo negociatash, por për anëtarësim në BE. Vetëm atëhere në Shqipëri do fillonin të ndodhnin gjëra, pikërisht ato gjëra që sot vihen si kushte, të cilat nuk do realizohen kurrë duke e mbajtur Shqipërinë tek dera e BE.