Flash News

OP-ED

Shtrigat nga Virgjil Muçi

Shtrigat nga Virgjil Muçi

nga Giovanna Pellegrini

Shtrigat e Virgjil Muçit, botuar nga shtëpia botuese Besa në vitin 2011 (me botim të dytë në vitin 2015) dhe përkthyer nga Francesca Sammarco, është një përrallë që tingëllon ndryshe nga përrallat klasike.

Ajo flet për një djalë që është vënë në kërkim të frikës, një ndjenje që kërkon ta njohë e ta kuptojë. E kështu ndërmerr një udhëtim të gjatë dhe peripecitë e ndryshme e çojnë në një qytet të terrorizuar nga ngjarje të çuditshme. Për djalin fillon një histori rrëfimesh që shohin si protagoniste shtrigat, ato që të ngjallin vërtet frikë. Ato të trembin sepse nuk i njeh, ato janë nëna e gra të dashura që natën shndërrohen në vrasëse mizore.

Shtrigat është përrallë shumë e veçantë. Ajo nuk të frymëzon të jesh më i butë dhe nuk ka asgjë velitëse, por të ndez kureshtjen e të prezanton me personazhe larg “sheqerosjes” tipike të rrëfimeve në përralla. Djaloshi është i guximshëm, arrogant, ndërkohë që edhe shtrigat nuk kanë asgjë të përbashkët me simpatinë. Virgjil Muçi prezanton një botë fantastike, mjaft interesante ta shkelësh, në të cilën nuk ka gjasë të hasësh princin e zakonshëm ose princeshën e stërvjetëruar, por ti shkon e hyn në një univers inovativ, të krijuar me një stil të këndshëm dhe qetësues. Një ekuilibër perfekt midis shkrimit të ëmbël dhe përmbajtjes lehtësisht acide.

Stili i përshtatur nga shkrimtari shqiptar te Shtrigat dallon në mënyrë të konsiderueshme nga ai që do të jetë më pas stili i tij në veprat që pasojnë (ndër të cilat Piramida e shpirtrave) ku mbizotëron humori. Përralla është shkruar në mënyrë lineare, pa stolira, me një stil të duhur e të drejtpërdrejtë. Një libërth i bukur që, deri diku, të shtyn të reflektosh mbi kurajon dhe frikën.

*Botuar më 26-06-2020

Të fundit