Flash News

KRYESORE

Situata me koronavirusin, unioni i gazetarëve kërkesë pronarëve të mediave: Të gjejnë mundësi të reja për informim dhe raportim

Situata me koronavirusin, unioni i gazetarëve kërkesë

Nisur nga situata me koronavirusin në Shqipëri, ku sot u konfirmuan edhe disa raste të reja, duke çuar në 23 numrin e të prekurve, unioni i gazetarëve shqiptarë ju bën thirrje administratorëve të mediave të shtojnë masat dhe të reduktojnë maksimalisht kontaktet e shumë personave në mjediset e punës.

Po ashtu gazetarët kërkojnë rishqyrtim të praktikave të qarkullimit dhe të raportimit nga mjediset publike dhe institucionet e populluara.

Reagimi i plotë:

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është i shqetësuar nga gjendja dhe situata alarmante e krijuar nga shfaqja e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 edhe në vendin tonë. Ky realitet i ri kërcënues, për disa qindra e mijëra punonjës të mediave shqiptare duhet vlerësuar maksimalisht për risqet që paraqet për shëndetin e tyre. Organizata jonë u bën thirrje gjithë administratorëve të mediave të shtojnë masat dhe të reduktojnë maksimalisht kontaktet e shumë personave në mjediset tona të punës dhe të rishqyrtojnë praktikat e qarkullimit dhe të raportimit të kolegëve nga mjediset publike dhe institucionet e populluara. Ne kërkojmë nga pronarët, administratorët dhe administratat e redaksive në përgjithësi, të marrin masa dhe të krijojnë këndet e nevojshme me detergjentë dhe antibakterialë për të gjithë pjestarët dhe stafet e mediave.

UGSH mbështet sugjerimet e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për ndalimin e prezencës së publikut të përqëndruar në programet televizive, si dhe sugjerimet për minimizimin e prezencës së personave në studio, redaksi dhe mjediset e tjera të punës.

Organizata jonë i bën apel çdo punonjësi të mediave, gazetarëve dhe reporterëve kudo ku janë, të gjejnë mundësitë e tyre të reja për informim dhe raportim, duke dëshmuar në çdo rast përgjegjësi e kujdes për shëndetin e tyre dhe të personave të tjerë.

Zyra e Shtypit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

 

Të fundit