Flash News

KRYESORE

Skandali i Unazës së Re/ Prokuroria e Tiranës çon çështjen në gjykatë me vetëm një akuzë për falsifikim

Skandali i Unazës së Re/ Prokuroria e Tiranës çon

Prokuroria e Tiranës ka dërguar vetëm një të pandehur në gjykatë pas hetimeve për skandalin e falsifikimit të tenderit të Unazës së Re, një ndër çështjet korruptive më serioze në Shqipëri, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale të “falsifikim të dokumenteve”.

Avdjol Dobi është përfaqësuesi i kompanisë DH Albania, i cili është në kërkim. Kjo kompani, vetëm 4 muaj pas krijimit, u shpall fituese e tenderit për lotin e parë të Unazës së Re, me vlerë rreth 18 milionë euro. Më pas fitoi tenderin me vlerë 10 milionë euro, nga OST për ndërtimin e linjës së energjisë Burrel-Peshkopi.

Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi lidhje të shumëfishta mes kompanisë fantazmë dhe kompanisë së njohur Gener 2; punonjës të së cilës kishin aplikuar për hapjen e një adrese dytësore në Unazë të Re dhe veprime të tjera për llogari të DH Albania. Koordinatorja për mediat e Gjykatës së Tiranës, Alba Nikolla i tha BIRN se dosja e DH Albania ka mbërritur në gjykatë më 27 dhjetor me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.

Hetimet për kompaninë fantazmë nisën në dhjetor 2018, pasi emisioni “Të paekspozuarit” zbuloi se kompania DH Albania u shpall fituese e njërit prej loteve të tenderit të Unazës së Re përmes falsifikimit të datës së regjistrimit në Delawere të SHBA-së dhe bilancit të tre viteve.

Por kjo kompani, fitoi gjithashtu një tender tjetër nga Operatori i Sistemit të Transmetimit- të dyja me vlerë rreth 28 milionë euro.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila ishte njëherazi dhe prokurore e çështjes nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për mbylljen e hetimeve me rezultate minimale. Një zëdhënëse e Prokurorisë nuk ktheu gjithashtu përgjigje nëse po vazhdonin apo jo hetimet për persona të tjerë të dyshuar.

Të fundit