Flash News

KRYESORE

“Solidaritet i jashtëzakonshëm nga fqinjët pas tërmetit”/ Veliaj i jep Kullën e Sahatit homologut nga Janina, Moses Elisaf

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryebashkiakun e Janinës, Moses Elisaf, i cili është njëkohësisht edhe përfaqësues i komunitetit hebraik në këtë qytet. Në qendër të bisedës mes homologëve ishin mundësitë e rritjes së bashkëpunimit mes bashkive në disa fusha. Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi kryetarit të Bashkisë së Janinës “Kullën e Sahatit” dhe theksoi se Tirana dhe Janina kanë një traditë bashkëpunimi të jashtëzakonshme ndër vite, dhe se historitë njerëzore janë shumë më të rëndësishme se çdo protokoll e diplomaci mes shteteve dhe qyteteve.

“Tirana dhe Janina kanë pasur një traditë bashkëpunimi të jashtëzakonshme ndër vite, ndaj jam shumë i lumtur që me kryetarin e ri mund ta rifillojmë këtë miqësi dhe bashkëpunim. Kur jam larguar për herë të parë nga Shqipëria, Janina ishte vendi i parë që më ka pritur. Besoj se këto histori njerëzore janë shumë më të rëndësishme se çdo protokoll dhe çdo diplomaci mes shteteve edhe qyteteve tona”, tha Veliaj.

Veliaj tha se ky moment ishte treguesi më i mirë se humanizmi që na bashkon është më i fortë se çfarëdo lloj politike tjetër apo debati që mund të kemi në ditë normale.

Kryetari i Bashkisë së Janinës, Moses Elisaf, theksoi se ky është hapi i parë drejt forcimit të lidhjeve mes dy qyteteve.

Është një nder dhe kënaqësi e madhe të takohem me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, hapi i parë drejt forcimit të lidhjeve mes dy qyteteve dhe vendeve tona, për të shprehur mbështetjen tonë ndaj popullit shqiptar pas tërmetit. Bashkia jonë ka kontribuar në rajonet e prekura për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes së qytetarëve në ato zona. Diskutuam me kryebashkiakun Veliaj për historinë mes dy qyteteve dhe historinë e komunitetit hebre të Janinës dhe Shqipërisë, lidhjet e ngushta mes këtyre dy komuniteteve në të kaluarën. Shpresoj që kryetari do ta vizitojë Janinën në muajt në vijim, është shumë e rëndësishme t’ju mikpresim dhe njëkohësisht të vazhdojmë përpjekjet tona në funksion të thellimit të marrëdhënieve tona”, përfundoi ai.

Të fundit